Luksemburgu shokon Italinë

Italia dëshpëroi duke luajtur baras 1:1 me Luksemburgun në ndeshjen miqësore në Perugia. Claudio Marchisio kaloi Azzurrët në epërsi, mirëpo Maxime Chanot i ndëshkoi vendasit.

Sport

04/06/2014 23:44

Italia nuk arriti më tepër se një barazim 1:1 në ndeshjen miqësore kundër skuadrës modeste të Luksemburgut, ballafaqim i zhvilluar në Perugia.

Azzurrët kaluan në epërsi herët në minutën e tetë me golin e mesfushorit Claudio Marchisio i cili shënoi me kokë pas asistimit të bukur nga Mario Balotelli.

Mirëpo, skuadra e selektorit Cesare Prandelli e uli ritmin e lojës dhe shkoi në pushim me avantazh prej një goli.

Pas intervalit, Italia pati raste të tjera për shënim, por nuk i shfrytëzoi ato.

Dhe, ndëshkimi erdhi pesë minuta para fundit kur Maxime Chanot shënoi me kokë pas një goditje nga këndi duke ia mohuar fitoren Italisë, që nuk fitoi për ndeshjen e shtatë të njëpasnjëshme, pikërisht në kohën kur duhet të udhëtojnë drejt Brazilit për të luftuar në Kampionatin botëror.