Luiz ishte afër Barcelonës

Qendërmbrojtësi David Luiz ka bërë të ditur se ishte afër transferimit në Barcelonë, para se të arrijë marrëveshje me Paris Saint-Germain.

Sport

30/09/2014 16:20

David Luiz u bë mbrojtësi më i shtrenjtë në histori të futbollit kur iu bashkua kampionit të Ligue 1, Paris Saint-Germain, nga Chelsea, në transferim me vlerë prej 50 milionë funte.

Mirëpo, ylli brazilian ka bërë të ditur se lehtë mund të përfundonte në Barcelonë.

“Është e vërtetë se Barcelona më kontaktoi disa herë dhe dukej punë e kryer. Por, në ndërkohë u binda se PSG është klubi që më dëshiron vërtetë dhe për këtë arsye jam këtu”, deklaroi Luiz.

Qendërmbrojtësi do të luajë sonte kundër Barcelonës kur PSG të jetë nikoqir i gjigantit katalan në kuadër të xhiros së dytë të ndeshjeve në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.