Lugina me kërkesë për Haradinajn pas taksës së re ndaj Serbisë

Vazhdojnë reagimet ndaj tarifës së 10 për qindëshit.

Lajme

06/11/2018 21:24

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të përjashtojë prodhuesit shqiptarë nga taksimi prej 10 për qind për mallrat serbe.

“Pas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për vendosjen e masave mbrojtëse ndaj produkteve që vijnë nga Serbia, kryetari i Komunës së Bujanocit, kërkon nga Kryeministri dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, përjashtimin nga këto masa të prodhuesve dhe produkteve që në Kosovë eksportohen nga Lugina e Preshevës”, ka thënë Kamberi.

Lexo edhe:

Ekskluzive: BE kërkon urgjentisht që Kosova të revokojë masën ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina

Më tej ka thotë se prodhuesit shqiptarë të Luginës, të vetmin treg e kanë Kosovën.

“Prodhuesi shqiptar i Luginës së Preshevës nuk ka mundësi tjetër tregu të plasimit të produkteve të veta, por si treg të vetëm ka tregun e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë, se Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim që t’i taksojë mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës me 10 për qind, duke i përjashtuar brendet ndërkombëtare që prodhohen në dy shtetet përkatëse.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar BE-ja, por edhe Serbia, që kanë kërkuar tërheqjen e këtij vendimi menjëherë. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Masa ndaj Serbisë e Bosnjës, takim urgjent mes Haradinajt, Shalës, Hamzës e Doganave