Luftëtari gjerman që e la shtetin e tij për të luftuar me UÇK-në po “vdes” për bukë

Ai erdhi në Kosovë në vitin 1998 për t’iu bashkuar UÇK-së, por tani gjendja e tij është e rëndë. Kargus Karlhenz ka krijuar familje në Kosovë, ku ka bashkëshorten shqiptare dhe një djalë.

Lajme

28/09/2017 12:06

Shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbetur në gjendje të rëndë, por ka edhe shumë të tjerë që erdhën nga vendet e tjera për të ndihmuar luftën çlirimtare.

I tillë është rasti edhe i gjermanit Kargus Karlhenz (Heinz). Ai në vitin 1998 erdhi vullnetarisht në Kosovë për t’iu bashkuar UÇK-së, raporton albinfo.ch.

Heinz, siç e thërrasin të gjithë, që nga ajo kohë jeton në Kosovë dhe ka krijuar familje. Ai ka bashkëshorten shqiptare dhe një djalë 13-vjeçar. Ai jeton në Ferizaj dhe punon në FSK.

Por, siç njofton Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” ai nuk është kthyer asnjëherë në Gjermani dhe jeton në gjendje të rëndë.

“Në Kosovë ka nevojë urgjente që ta ketë edhe ky një strehim bashkë me familjen e tij. Ka vite që ky i nderuar jeton herë në një shtëpi dhe herë në tjetrën shtëpi me qira. Ne e kemi vizituar dhe i kemi pa kushtet e rënda ku jeton. Ne mendojmë që kjo është më e pakta ndihmë që mund ta bëjmë për Hansin dhe familjen e tij, andaj edhe presim nga bamirësit që të na bashkohen që t’ia sigurojmë një strehim të përhershëm”, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate.