Luftë? SHBA paralajmëron Korenë e Veriut

Tonet mes Uashingtonit dhe Phenianit po ashpërsohen gjithnjë e më shumë. Ministri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis në një paralajmërin ndaj udhëheqjes komuniste bëri fjalë madje për luftë.

Bota

15/08/2017 08:57

Ministri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis ka paralajmëruar Korenë e Veriut të mos nisë një luftë kundër vendit të tij. “Nëse ata do të godasin Shtetet e Bashkuara, kjo mund të kulminojë shumë shpejt drejt luftës”, tha Mattis para gazetarëve.

Uashingtoni dhe Pheniani i kanë ashpërsuar gjithnjë e më shumë tonet së fundmi. Presidenti amerikan kishte paralajmëruar se SHBA do të reagojnë me “zjarr dhe zemërim” ndaj testeve të tjera me raketa. Koreja e Veriut kërcënoi pas kësaj me sulm ndaj ishullit Guam, ku SHBA mban një bazë ushtarake. Mattis u shpreh, se nëse raketa do të marrë drejtimin e Guamit, “ne do ta asgjësojmë atë”.

SHBA nuk duan të dëmtojnë popullin koreanoverior

Kreu i Pentagonit, Mattis bashkë me kreun e Departamentit të Shtetit, Rex Tillerson, të ftuar në një artikull me për “Wall Stret Journal”,  kishin përdorur një gjuhë tjetër. Tillerson ishte treguar i përmbajtur ndaj zgjidhjes ushtarake. Në artikull theksohet se qeveria amerikane nuk ka ndonjë interes të rrëzojë pushtetmbajtësin Kim Jong Un. Uashingtoni nuk ndjek as ndonjë strategji për bashkim të shpejtë të dy Koreve. “Nuk kemi asnjë nevojë që të dëmtojmë popullin koreanoverior që vuan prej kohësh, e që dallon nga regjimi i tij.”

Nordkorea Rackete (picture alliance/AP Photo)Raketa balistike – foto e publikuar nga qeveria koreanoveriore

Edhe ditët e ardhshme përmbajnë potencial konflikti mes Uashingtonit e Phenianit. Të martën të dy shtetet koreane përkujtojnë fitoren kundër trupave japoneze në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Qeveria e Phenianit mund ta përdorë këtë për një demonstrim të ri force. Kreu i shtetit koreanoverior, Kim Jong Un i është drejtuar SHBA-së me thirrjen që të lenë “provokimet arrogante” dhe “kërkesat e njëanshme”. Gjatë vizitës në një shtab ushtarak ai e theksoi edhe njëherë gatishmërinë për të sulmuar ishullin Guam.

Kina që konsiderohet si fuqia mbrojtëse e Koresë së Veriut rriti së fundmi presionin ndaj Phenianit. Ajo reagoi me ndalimin e importit të hekurit, qymyrit dhe frutave të detit nga shteti i izoluar ndërkombëtarisht./DW