Luftë posterësh AKR- AAK

Mimoza Kusari- Lilës dikush ia ka shqyer posterët mbrëmë në Gjakovë. Kampi i saj akuzon Pal Lekajn e AAK’së. Ndërsa AAK thotë se nuk mund t’ia shërojë AKR’së \"obsesionin e humbjes së përsëritur\".

Lajme

16/10/2013 10:17

Dy aleancat në Gjakovë nuk kanë mundur të gjejnë paqe mes vete as Ditën e Bajramit.

AAK dhe AKR që vlerësohen si konkurrentët më të fortë në garën për kreun e Gjakovës janë zënë mes akuzash e kundërakuzash për shkak të grisjes së posterëve të kandidates së AKR’së për Kryetare të Komunës, Mimoza Kusari- Lila.

Shtabi i kësaj të fundit ka lëshuar një deklaratë dhe ka shpërndarë disa fotografi ku shihet se si janë grisur posterët e saj në Gjakovë.

Dhe për këtë, AKR nuk ka hezituar ta drejtojë gishtin në një adresë të vetme- AAK dhe kandidati i saj për Kryetar të Komunës, Pal Lekaj.

“Në ditën kur të gjithë qytetarët e Komunës së Gjakovës po pushojnë dhe po festojnë Kurban Bajramin, të vetmit që kanë “punuar” ishin militantët e AAK’së dhe përkrahësit e Pal Lekes të cilët në mënyrë të vrazhdët kanë vazhduar ta dëmtojnë të gjithë materialin e marketingut të znj.Mimoza Kusari Lila”, thuhet në reagimin e AKR’së.

“Nga gjithë këto veprime të pandërgjegjshme qytetarët e Gjakovës ashtu edhe AKR kupton vetëm një gjë, që humbja e AAK-së dhe e kandidatit të kësaj partie Pal Lekes është e sigurt”.

“Tashmë ekziston një pasqyre shumë e qartë rreth mënyrave se si po tentohet të dhunohet një proces që duhet të jetë i lirë dhe demokratik”, ka thënë AKR.

Por AAK çuditet se si kampi i Mimoza Kusari- Lilës ka mundur ta drejtojë gishtin kah AAK kur “janë disa aparti politike që garojnë” në Gjakovë.

Zëdhënësi i AAK’së, Ernest Luma, ka thënë për lajmi.net se është AKR ajo që ka filluar ta ndjejë humbjen në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Pse automatikisht aludohet në AAK’në? Është kjo fryma disfatiste, është obsesioni që i është bërë Aleancës Kosova e Re në disfatat e vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme që i ka pasur në Gjakovë në garë me AAK`në”, ka thënë Ernest Luma.

“Obsesionin dhe frikën e Mimoza Kusarit-Lilës për disfatën e radhës që do ta ketë të sigurt dhe të AKR`së në këtë garë ne nuk mund ta shërojmë”.

“Ne pretendojmë dhe vazhdojmë të jemi ndër pretendentët kryesorë për ta fituar Gjakovën jo vetëm kësaj radhe por edhe disa vjet me radhë”.

“Nëse kjo përbën frikë në një tabor tjetër politikë sikurse është AKR, faji nuk është i yni”.

“Kjo nuk është vetëm retorikë por është diçka praktike të cilën qytetari i Gjakovës po e vëren për çdo ditë.”

“Nuk mund askush me automatizëm t`ia atribuojë dikujt fajësinë për dëmtimin e posterëve. Kjo është garë e disa subjekteve politike”.

“Gjakova është njëri prej bastioneve të krenarisë për AAK`në në të gjitha fazat në të gjitha kohët dhe koncepti dhe vizioni është mbështetur fuqishëm nga qytetarët e Gjakovës”, ka thënë Luma për lajmi.net.