Luftë ekonomisë joformale

Rritja ekonomike dhe rritja e punësimit mundësohet me luftimin e ekonomisë joformale. Kështu ka pohuar Ministri Besim Beqaj, duke folur për planin e veprimit të Strategjisë Kombëtare për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale.

Lajme

27/01/2014 14:52

Ministri i Financave, Besim Beqaj, në një konferencë për media në lidhje me veprimin e Strategjisë Kombëtare, pohoi se Qeveria e Kosovës është e interesuar të krijojë konkurrencë të lirë të tregut dhe që sektori privat të jetë bartës i zhvillimit ekonomik.

Beqaj ka ftuar përfaqësuesit e asociacioneve të bizneseve në takimin e 4 të tyre për transparencë, duke shfrytëzuar komunikimin dhe biznesin për shfrytëzimin e platformës së ndërtuar në fushën e komisionit të përbashkët.

“Qeveria e Republikës së Kosovës posaçërisht Ministria e Financave është e interesuar që të krijojë ambient sa më të volitshëm, të krijojë ambient të lirë të tregut, të krijojë një pasqyrë të qartë të gjendjes në terren dhe të krijon një komunikim sa më të mirë në mënyrë që të gjitha dukuritë joformale që të na paraqiten të luftohen në mënyrë të drejtpërdrejtë”.

“Ky plan i cili është paraparë për vitin 2014-2018 do të jetë një dokument që jeton, jo dokument i cili sot aprovohet dhe nuk mund të ndryshohet”.

“Aspekti i partneritetit social në trekëndësh, që janë punëtor-punëdhënës-institucione shtetërore, është element mjaft i rëndësishëm që rrit llogaridhënien. Dhe, ne ftojmë përfaqësuesit e asociacioneve të biznesit të cilët përmes komunikimit dhe biznesit të tyre ta shfrytëzojnë edhe platformën e ndërtuar në fushën e komisionit të përbashkët por edhe të komunikimit, në mënyrë që aty ku ka argument e fakte të veprojnë menjëherë”.

Ndërsa, Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini theksoi se informaliteti po dëmton biznesin formal dhe buxhetin e Kosovës. Sipas tij, për luftë kundër informalitetit duhet kohë.

“Lufta kundër informalitetit është proces dhe duhet kohë për këtë. Por, kjo dërgon mesazh se gjërat nuk do të shkojnë ashtu siç kanë shkuar deri tani. Këto grupe, nga tani, do të jenë më tepër të izoluara dhe të shqetësuara, se dikush po i ndjek nga afër. Ne, i ftojmë bizneset, që të largohen nga këto dukuri negative”, tha ai.

“Janë dy palë të interesit njëra që vepron, tjetra që ndihmon veprimin, këto raste i kemi pasur edhe nga bizneset edhe nga administrate tatimore, edhe nga dogana, grupe te cilat kanë qenë të involvuar bashkërisht dhe kanë zhvilluar informalitetin edhe për korrupsion. Prandaj, këto grupe nga këto momente, do të jenë më tepër të izoluara e të shqetësuara se dikush tashmë do t’i ndjekë për së afërmi”.

“Për ato grupe që do të involvohen do të ketë ndëshkime”.

Në anën tjetër, Jari Uukku, nga Komisioni Europian, ka potencuar se dy sfidad kryesore të sektorit privat në Qeveri janë ndikimet e ekonomisë joformale në infrastrukturë të shoqërisë dhe mbështetja për kompanitë e vogla dhe të mesme.

“Janë të paktën dy sfida të mëdha për sektorin privat në Qeveri; ta hapim fjalën dhe t’u tregojmë njerëzve se cilat janë impaktet apo ndikimet e ekonomisë joformale, si ndikon kjo në infrastrukturën e shoqërisë e gjithashtu edhe në kualitetin e shërbimeve publike”.

“Sfida tjetër është se sektori i ndërmarrësve në Kosovë përbëhet nga kompani të vogla dhe të mesme që janë shumë të rëndësishme për ekonominë, dhe sigurisht që atyre ju duhet mbështetje në mënyrë për ta përdorur qeverisjen e tyre. Këto janë të nënvizuara në strategji dhe në plan të veprimit”

“Dhe, nga kjo perspektivë implementimi i strategjisë dhe planit të veprimit është i bazuar në bashkëpunimin e sektorit publik-privat dhe të tretë”.