Davutoglu: Po ndërhyjmë në Aleppo, për t’ia kthyer borxhin sirianëve

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, u zotua për të kthyer një "borxh historik" për "vëllezërit e Aleppo-s" të cilët ndihmuan për të mbrojtur vendin në fillim të shekullit të 20-të.

Bota

10/02/2016 12:22

“Ne do tua kthejmë borxhin tonë historik. Në një kohë, vëllezërit tanë nga Aleppo kanë mbrojtur qytetet tona si Sanliurfa, Gaziantep, Kahramanmaras, e tani ne do të mbrojmë Aleppo-n heroike. E gjithë Turqia qëndron prapa mbrojtësve të saj”, ka thënë Davutoglu në takimin e fraksionit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim.

Davutoglu i ishte referuar Luftës së Parë Botërore dhe një ngjarje pasuese në Luftën Turke të Pavarësisë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Deklarata alarmuese vjen më pak se një javë pasi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë paralajmëroi se Turqia po përgatit një pushtim ushtarak të Sirisë dhe se është duke u përpjekur për të fshehur aktivitetin e paligjshëm në kufirin e saj me Sirinë.

“Ne kemi prova të rëndësishme për të dyshuar se Turqia është në mes të përgatitjeve intensive për një pushtim ushtarak në territorin sovran të Sirisë”, u ka thënë gazetarëve në Moskë, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneralmajor Igor Konashenkov.

Konashenkov gjithashtu deklaroi se Turqia kishte anuluar një marrëveshje për vëzhgimin rus që ishte planifikuar mbi territorin e saj, për shkak të aktiviteteve të saja të paligjshme.

“Pra, nëse dikush në Ankara mendon se anulimi i fluturimit nga vëzhguesit rusë do të mundësojë fshehjen e diçkaje, atëherë ata janë joprofesionalë”.

Për më tepër, Konashenkov theksoi se Turqia tashmë është duke furnizuar terroristët në qytetet siriane të Idlib dhe Aleppo me njerëz dhe armatim.

Zhvillimet e reja alarmante vijnë pasi forcat e xhihadit të cilat po luftojnë ushtrinë e presidentit Bashar Asad në veri të Sirisë janë duke vuajtur humbje dhe po tërhiqen drejt kufirit turk.