“Lufta” me deklarata Kosovë – Serbi

Kryeparlamentari Kadri Veseli në përvjetorin e nëntëmbëdhjetë të Masakrës së Reçakut deklaroi se Serbia as të mos provojë të kthehet në Kosovë pasi që nuk do të ndalemi deri në Nish. Deklaratat e tilla të Veselit erdhën vetëm pak ditë pas pohimeve të shefit të Shtabit të Ushtrisë serbe, gjeneralit Lubisha Dikoviq, se Serbia po planifikon të blejë sistem raketor, i cili zhvillon luftë në largësi më të mëdha se 400 kilometra, me të cilat do të arrihej çdo cep i territorit të Kosovës, shkruan Zëri.info.

Lajme

19/01/2018 08:10

Së fundit edhe ministri i Mbrojtjes së Serbisë Aleksandar Vulin ka kërcënuar Kosovën, duke thënë se Ushtria e Serbisë është e gatshme të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi për qytetarët serbë kudo që jetojnë.

Megjithatë, këto kërcënime dhe veprime kërcënuese të marra nga Serbia nuk u kanë lënë përshtypje zyrtarëve të KFOR-it në Kosovë. Sipas tyre, KFOR-i do ta garantojë sigurinë në vend. Në anën tjetër, edhe ekspertë të sigurisë konsiderojnë se Serbia mundet ta cenojë Kosovën, por vetëm nëse hyn në luftë me NATO-n.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është kërcënuar seriozisht nga Serbia ditë më parë. Sipas Haradinajt, Serbia synon që të armatoset me raketa që mbërrijnë deri në Kosovë. “Është shumë më kërcënues lajmi se Serbia synon të armatoset me raketa që mbërrijnë të gjitha destinacionet e Kosovës. Ju e dini, shefi i Shtabit të Ushtrisë serbe vërtet ka deklaruar se ‘synojmë kompletimin e sistemit tonë raketor me distancë të caqeve që mbërrijnë Kosovën. Kjo është shqetësuese, duhet të jetë për të gjithë”, ka deklaruar Haradinaj.