Lufta e partive për pushtet dëmton zhvillimin e vendit

Mos konstituimi i Kuvendit dhe krijimi i qeverisë së re të Kosovës do të ketë efekte negative në proceset ekonomike në vend, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Lajme

03/08/2014 13:43

Rritja ekonomike e parashikuar nga Qeveria, sipas tyre, nuk do të mund të arrihet dhe do të ketë ngadalësim të zhvillimit ekonomik.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se ngërçi politik i krijuar ka efekte shumë dimensionale dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës do të shënojë ngecje gjatë këtij viti.

“Ngërçi politik me të cilin po ballafaqohet Kosova ka efektet  e veta negative në të gjitha proceset në shoqëri në përgjithësi por edhe ekonomisë ne veçanti. Me institucionet të pa qëndruara Kosova ballafaqohet vitin e fundit, njëherë kishim një qeveri që kishte një mungesë të shumicës në parlament,  tani kemi një ngërç total  të të gjitha institucioneve tjera dhe të gjitha këto do të ndikojnë në performancën makro dhe mikro ekonomike në Kosovë”, thotë Gashi.

Gashi kujton se Kosova aktualisht ka një qeveri e cila nuk e ka legjitimitetin e mjaftueshëm për të vendosur për projekte dhe investime, qofshin ato të vogla apo të mëdha.

Kontraktimi i punëve nga ana e institucioneve qendrore, siç thekson Gashi, mund të kontestohet nga qeveria e ardhshme dhe aty do të krijohen paqartësi të mëdha dhe efektet do të jenë shume negative në aspektin zhvillimor.

“Kosova do të ketë ngadalësim të zhvillimit ekonomik, duke marrë parasysh se shumica e projekteve të mëdha kanë një vakum, janë në pritje përderisa të krijohen institucionet e reja dhe të vazhdohet me punë. Ne nuk kemi vetëm mungesë të Ekzekutivit dhe bllokadë të Kuvendit, ne e kemi një bllokadë totale të të gjitha institucioneve shtetërore, të agjencive, shumica  prej tyre kanë mungesë të plotësimit të bordeve, mungojnë drejtorët e bordeve dhe anëtarët. Kemi një bllokadë totale të të gjithë sektorëve ekonomikë të shtetit”, thotë Gashi.

Nën anën tjetër, analisti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi thekson se vonesa e krijimit të institucioneve të reja po krijon një situatë që po reflekton negativisht në proceset ekonomike.

“Ta zëmë, fillimi i autostradës Prishtinë – Hani i Elezit u zvarrit për shkak të mungesës së ministrive me kompetenca të plota, është shtyrë koncesionimi i kompleksit turistik Brezovica, është shtyrë afati për dorëzimin e ofertave për Termocentralin Kosova e re dhe po ashtu është shtyrë procesi për riorganizimin e Trepçës”, thotë Rexhepi.

Ngecja e këtyre projekteve, shton ai, tregon se kjo situatë do të reflektojë jo vetëm në normën e zhvillimit të këtij  viti, por në përgjithësi edhe për disa projekte ku mbështetet ardhmëria ekonomike e vendit.

Sipas ekspertëve, Kosova gjatë këtij viti do të këtë rritje ekonomike, por jo rritje të pritshme. Nëse vitin e kaluar Kosova ka pasur rritje ekonomike afër 4 për qind, në këtë vit rritja nuk mund të jetë më shumë se 2.5 për qind, derisa Qeveria ka parashikuar që rritja ekonomike në vitin 2014 të jetë rreth 5 për qind.

Ekspertët pohojnë se situata aktuale politike në Kosovë ka dekurajuar edhe investitorët e huaj.