Lufta e fjalëve, Trump kërcënon sërish Korenë e Veriut

Presidenti Donald Trump tha se ushtria amerikane është e gatshme të përballet me Korenë e Veriut, duke shtuar edhe më shumë retorikën luftënxitëse.

Bota

11/08/2017 21:32

“Zgjidhjet ushtarake janë gati. Gishtin e kemi në këmbëz, nëse Koreja e Veriut do të veprojë gabimisht. Shpresoj që Kim Jong-un të gjejë një tjetër rrugë”, shkroi Trump në “Twitter”.

Përveçse i jep mundësinë që të përdorë maksimalisht “Twitter”-in, kriza e Koresë është padyshim një test i madh për administratën “Trump”.

Komentet e presidentit u bënë pasi Koreja e Veriut akuzoi atë personalisht se po shtyn gadishullin korean drejt luftës bërthamore. Situata është tensionuar tej mase, që pas lajmërimit të regjimit komunist se do të lëshojë disa raketa në ujërat fare pranë territorit amerikan të Guamit, ku gjendet një bazë gjigante ushtarake amerikane.

Ndërsa diplomacia po punon ethshëm pas kuintave për të ndalur konfliktin, ekspertët thonë se, që gjuha e ashpër të kalojë në aksione ushtarake duhen përgatitje, gjë që nuk vërehen aktualisht në terren. Analistë të ndryshëm thonë se, në Korenë e Veriut nuk shihet lëvizje trupash dhe as përgatitje për lëshim raketash, diçka që reflektohet edhe në anën tjetër të kufirit.