Lufta Civile në Siri, përleshje të ashpra në Damask

Forcat siriane të sigurisë janë angazhuar në luftime të ashpra me rebelët, në rrethinat lindore të kryeqytetit, Damask.

Bota

20/03/2017 08:44

Luftime u konfirmuan nga banorët, të cilët thanë se predha artilerie dhe raketa ranë në brendësi të qytetit si pjesë e një sulmi të befasishëm nga rebelët.

Këta të fundit kryen dy sulme kamikaze në zonën e Jobair dhe më pas sulmuan vijat mbrojtëse të qeverisë.

Reagimi i ushtrisë ishte i menjëhershëm dhe forcat e presidentit Bashar al Asad u përgjigjën me sulme të shumta ajrore.

Mediat shtetërore siriane thanë se rebelët përdorën edhe tunele sekrete për të kryer sulmin në Jobair.

Opozita siriane kontrollon pak zona në Damask edhe këto në rrethinat e kryeqytetit.

Jobairi është më pranë qendrës së qytetit dhe është i ndarë mes rebelëve dhe ushtrisë prej vitesh.

Sipas analistëve, sulmi i rebelëve ndaj zonës që kontrollohet nga ushtria bëhet për të treguar se ata nuk janë mposhtur ende, pas disfatave të shumta që kulmuan me humbjen e Alepos në dhjetor të vitit të shkuar.

Aktualisht një armëpushim i negociuar nga Rusia, Irani dhe Turqia, është në fuqi në Siri, por vetëm formalisht, pasi në terren përleshjet vazhdojnë, megjithëse jo me intensitetin e disa muajve më parë.

/ Top Channel