Lubonja për deklaratat e Kadaresë: Më duhet t’i konsideroj shpifje

Analisti, Fatos Lubonja i ka kthyer shkrimtarit Ismail Kadare përgjigje në lidhje me akuzat që ai ngriti se analisti është arrestuar se ishte djali i Todi Lubonjës dhe jo se ishte një shkrimtar, ndër të tjera Kadare është shprehur se Lubonja urrente babin e tij.

Lajme

21/09/2017 22:34

Lubonja ka thënë se Ismail Kadare ka bërë akuza për gjërat që ai i dinte dhe prandaj shton ai këto deklarata më duhet ti konsideroj si shpifje.

“Ajo që më ka revoltuar, ato poezitë e mia, ia kam çuar vetë se kemi pasur marrëdhënie familjare, pra e dinte për ekzistencën e tyre, edhe për romanin e dinte që ekzistonte, e gjithë kjo histori del se ai nuk dinte gjë që unë isha arrestuar nga shkrimet”, ka thënë në “News 24”.

E ndërsa në lidhje me faktin që shkrimtari Kadare u shpreh se Lubonja urrente babanë e tij, ky i fundit publikoi dy letra të shkëmbyera me të atin, për të treguar marrëdhënien e tyre.

“Ky e lidh me gjyqin këtë deklaratë. Unë mendoj se nuk urrej njerëzit, pro veset e tyre, të keqen si ves. Por kjo pak rëndësi ka. Në rastin konkret, mua më duhet ta konsideroj këtë një shpifje, një interpretim malinj, të dokumenteve që ka nxjerrë ky me disa të tjerë, të manipuluara. Kjo është një shpifje e ulët që hyn në marrëdhëniet familjare në mënyrën më skandaloze. Të gjithë ata që e kanë kurdisur këtë bashkë me të, e bëjnë për të denomizuar dhe delegjitmuar kundështarët e tyre”, u shpreh Lubonja.