Low ka një kërkesë nga Gjermania për ndeshjen ndaj Spanjës

Joachim Low kërkon super ndeshje nga skuadra e tij e Gjermanisë.

Sport

23/03/2018 12:08

Sonte, dy kampionet e fundit të Botës, Gjer mania dhe Spanja, do të përballen në “Esprit-Arena” të Dyseldorfit, përpara se të martën Gjermania të presë në Berlin 5 herë kampionët e Botës, Brazilin. Janë ditë shumë të rëndësishme për Joakim Lëvin, i cili do të shpallë listën provizore të Botërorit më 15 maj. Dhe në konferencën për shtyp përpara këtyre ndeshjeve, tekniku i Kombëtares i preku të gjitha temat.

Si është situata e Manuel Nojerit?

Kur Manuel ishte këtu të martën, u ulëm dhe folëm për pak kohë me Andi Këpken (trajneri i portierëve) dhe doktorin Myler Vohlfahrt dhe Manuel është në rrugën e duhur. Ai pritet të luajë sërish me Bajernin këtë sezon dhe doktori më siguroi se plaga e operacionit është Ok, ndërsa kockat e tij po rriten sipas parashikimit. Aktualisht nuk mund të stërvitet normalisht, është në 90%, por pritet të jetë sërish në 100% në fund të javës, kështu që mund të nisë të stërvitet normalisht. Jam shumë optimist se Nojer do të jetë në skuadrën e Botërorit.

Çfarë mund të zbuloni për formacionin kundër Spanjës?

Ter Shtegen do të jetë titullar në ndeshjen e parë. Skuadra nuk do të jetë identike në të dyja ndeshjet. Do më pëlqente të bëja ndryshime kundër Brazilit. Është e vështirë të thuash kush do të luajë kundër Spanjës pas vetëm një seance stërvitore. Por ka 5-6 lojtarë që unë mund t’ua konfirmoj se do të jenë titullarë: Boateng, Humels, Myler, Ozil dhe Kros do të jenë bërthama e skuadrës. Pastaj, të shohim kush do të luajë tjetër.

Xhan nuk do të luajë pas disa problemeve në shpinë që ka trashëguar te Liverpuli. Shpresojmë të stërvitet normalisht të shtunën dhe luajë kundër Brazilit. Rudi ka shkuar pranë gruas, e cila po pret me orë për të lindur.

Si e shikoni rritjen e MarkAndre Ter Shtegenit?

Ka bërë progres të mirë. Ndeshjet e tij të parë ishin ashtu-kështu, por vitet e fundit është përmirësuar shumë. Ishte i shkëlqyer në Kupën e Konfederatave dhe është pjekur shumë te Barcelona. Është bërë një personalitet në skuadër.

Kanë shanse Mario Gomez dhe Sandro Vagner të vijnë edhe në Rusi?

Gomez është në formë të shkëlqyer, ashtu si Vagner. Sigurisht që po.

Po Gëce, Shyrrle dhe të tjerët që nuk janë grumbulluar…?

Fola me Marion dhe ramë dakord se ai nuk ka arritur ende formën që do donim të shihnim. Por nuk e kam përjashtuar. Rojsin e lashë jashtë, sepse nuk doja ta rrezikoja, duke qenë se sapo është rikthyer. E rëndësishme për të është të qëndrojë sa më gjatë i padëmtuar dhe të gjejë ritmin në javët e ardhshme. Shyrrle është përmirësuar së fundmi dhe ne e dimë se çfarë është në gjendje të bëjë. Nëse fiton shpejtësinë dhe instinktin e golit, ai do të mbetet një opsion për Botërorin.

Çfarë prisni nga miqësorja me Spanjën?

Të dyja skuadrat duan që të tregojnë atë çka mund të bëjnë, por në të njëjtën kohë, ata nuk do duan t’i tregojnë gjithçka rivalit për lojën e tyre. Kjo ndeshje nuk është një provë e një përballjeje të mundshme kundër Spanjës në Botëror. Turneu do të shkruajë historitë e tij. Ne e dimë që Spanja është një skuadër e kalibrit botëror, me lojtarë nga Atletiko, Reali dhe Barcelona. Kombëtarja shkrin cilësinë e këtyre klubeve. Spanja është një nga favoritet absolute për mua. Askush nuk duhet t’i përjashtojë.

Cila është situata në kombëtaren gjermane përpara shpalljes së listës së Botërorit?

Ky është shansi ynë i fundit për t’u stërvitur dhe luajtur së bashku përpara se të shpallet skuadra në mes të majit, kampit stërvitor në Tyrolin Jugor dhe sigurisht vetë Botërorin. Lojtarët kanë ende disa muaj të rëndësishëm përpara me klubet e tyre dhe është pozitive që ata mund të luajnë kundër ekipeve elitare si Spanja dhe Brazili tani.

Cili do të jetë plani i punës suaj nga ky moment deri përpara se të nisë turneu?

Në dy ditët e para të grumbullimit ne u morëm më shumë me aktivitetin e marketingut. Stërvitjen e parë e kryem të mërkurën dhe në javët e mbetura, unë dhe stafi im do të ndjekim me kujdes ecurinë e lojtarëve. Do të shohim paraqitjet e tyre dhe kush ka freskinë për të luajtur në maksimum pas një sezoni të lodhshëm me klubin.

Botërori është turneu më i rëndësishëm që ekziston dhe lojtarët duhet të jenë të përqendruar në çdo ndeshje, çdo seancë stërvitore dhe jo vetëm me kombëtaren, por edhe klubin. Na duhen 23 lojtarë që mund të performojnë në nivelin më të lartë në verë, lojtarë që do të japin gjithçka për skuadrën, edhe nëse në një moment do të duhet të ulen në stol. Në vitin 2014 kishim shpirtin e duhur të skuadrës.

E dimë që ky Botëror do të na shtyjë përtej limiteve tona, do kërkojë diçka jonjerëzore. Ne jemi kampionët në fuqi të botës, të Kupës së Konfederatave dhe skuadra për t’u mundur. Duhet të bëjmë një tjetër hap cilë- sor për të mbrojtur titullin. Duhet të luajmë edhe më mirë se në Brazil. Duhet të ruajmë përqendrimin në disa momente të rëndësishme.