Lotus Esprit i ri lansohet brenda dy vitesh, dhjetë vjet pas prezantimit zyrtar (Foto)

Për dallim prej prezantimit më 2010, kësaj radhe pritet ta shohim si veturë të kompletuar.

Auto & Tek

09/05/2018 11:03

Gjërat nuk kanë qenë kurrë më mirë për Lotus, pasi kompania britanike është shumë mirë financiarisht, ndërsa është duke kompletuar makinën e parë Crossover, me platformë nga bashkëpunimi Deely/Volvo, transmeton Telegrafi.

Krahas këtyre zhvillimeve, Lotus do të sjellë një model të ri, të cilin është duke e përpunuar ndër vite.

Më 2020, pritet që ta shohim një Esprit tërësisht të ri, të bazuar kryesisht në modelin e tanishëm Evora.

Bazuar në teknikat me të cilat e kompletoi këtë të fundit, pritet që makina e re të jetë shumë më e lehtë, të ketë fuqi të mëdha, si dhe të lëvizë me shkathtësi.

Pjesa e përparme dhe ato mbi  rrotë, paneli i përparmë, tavani dhe krahu, të gjitha do jenë nga fibrat e karbonit – material i cili do të përbëjë edhe pjesë tjera të trupit.

Kjo makinë pritet ta ketë motorin nga Toyota, me 3.6-litra V6 që do të prodhojnë 430 kuajfuqi.

I njohur për makinat e thjeshta dhe të fuqishme, dallim nuk pritet të bëjë as kjo veturë nga Lotus.

E tëra që dihet, është se këtë makinë e kemi parë më 2010, por kurrë si një model të kompletuar, por pas një dekade, pritet të ketë prezantim si duhet dhe të plotësojë pritshmërinë e entuziastëve.