Londër, katër shqiptarë kapen me 10 kg kokainë

Katër shtetas shqiptarë do të akuzohen për trafik kokaine, pasi janë arrestuar nga policia në Britaninë e Madhe. Gentian Cuka, 37 vjeç, Skënder Toci, 36 vjeç, Elvis Vladi, 35vjeç dhe Besnik Mansaku, 42 vjeç, dolën para gjykatës më 21 maj. Gjithashtu ata akuzohen se janë pjesë e një organizate kriminale, si dhe për posedim pasurie me anë të veprave penale.

Lajme

24/05/2015 12:47

Shqiptarët u arrestuan më 19 maj, kur gjatë operacionit u sekuestrua një sasi prej mbi 10 kg kokainë. Cuka, Vladi dhe Mansaku do të mbeten në burg dhe do të paraqiten në gjykatë më 1 qershor, ndërsa Toci do të ketë një seancë më 26 maj për t’u liruar me kusht. Po gjatë këtyre ditëve, nën prangat e policisë britanike është vënë edhe një grup tjetër trafikantësh shqiptarë. Policia britanike ka mbyllur me sukses një operacion “unik dhe të sofistikuar”, operacion që çoi në pranga gjashtë persona të cilët ishin përfshirë në trafik droge me vlerë mbi 16 milionë dollarë. Identiteti i të arrestuarve nuk është bërë publik ende, por mendohet se një pjesë prej të ndaluarve të jenë shqiptarë. Mendohet se ky grup trafikonte kokainë nga Shqipëria në Londër.

Trafikantët u kapën pas disa muajsh përgjimesh nga policia (korrik 2013 – qershor 2014), ku u vëzhguan gjatë blerjes, përgatitjes dhe shpërndarjes së kokainës dhe heroinës në Leicestershire, Hight Wycombe, Londër dhe Shqipëri. Policia sekuestroi në një shtëpi të “sigurt” në Wellingborough drogë me vlerë 16.2 milionë dollarë. Përveç drogës të cilësisë së lartë, policia gjeti edhe kimikate për përzierje. Policia thotë se grupi përdorte masa ekstreme sigurie. Ata vazhdimisht i flaknin telefonat me të cilët flisnin duke blerë vazhdimisht telefona të rinj.

Takimet i caktonin në vende publike si kafe apo palestra për të mos rënë në sy. Ndërsa fillimisht shërbenin si furnizues për grupe tregtimi të drogës në High Wycombe dhe Leicester si dhe Northampton dhe Wellingborough, në mars grupi gjithashtu nisi importimin e drogës së pastër nga Shqipëria duke sjellë rregullisht ngarkesa shumë kilëshe. Policia zbuloi edhe furnizuesit shqiptarë, ku u kapën me 40 kg kokainë të pastër dhe tetë kilogramë heroinë. Pas kësaj, hetuesit gjurmuan lidhjet e tyre me blerësit në Londër.