Lokali ‘Sekiraqa’ u sulmua për Triumf Rizën, e jo për Adelina Ismajlin

Pas vrasjes së policit të njësisë speciale Triumf Riza në vitin 2007, kolegë të tij nga Ferizaj, kishin tentuar të hedhin në erë lokalin e Enver Sekiraqës në lagjen Dardania në Prishtinë. Me atë rast kishin vdekur dy persona dhe ishin plagosur disa të tjerë. E në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj të pandehurve, dëshmitari Besnik Hasani, ka thënë se, sulmi është kryer për hakmarrje, shkaku i kolegut Riza, e jo për Adelina Ismajlin, ish e dashura e policit të vrarë nga ‘Klani Sekiraqa”. 

Lajme

02/09/2014 17:35

Dëshmitari Besnik Hasani ka thënë gjatë seancës së sotme se nuk ka pasur ndonjë armiqësi me Enver Sekiraqën por sipas tij ka ndodhur e kundërta, raporton Kallxo.com. 

“Enver Sekiraqa ka qenë i armiqësuar me ne, e jo ne me atë”, tha Hasani para trupit gjykues sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë. 

Ai tha se u përpoq të hakmerrej ndaj Sekiraqës për shkak të dyshimeve se ky i fundit mund të ketë dorë në vrasjen e pjesëtarit të njësitit special të policisë, Triumf Rizës në fund të gushtit të vitit 2007. 

“Hakmarrja ndaj Sekiraqës ishte vetëm për shkak të kolegut të respektuar Triumf Riza, jo për shkak të Adelina Ismajlit”, tha Hasani duke iu referuar pop-këngëtares kosovare e cila ka qenë në lidhje me Triumf Rizën.