Lokalet përballë Katedrales lëshohen me qera pak para zgjedhjeve

Edhe një muaj bëhet një vit që kur ‘Ndërmarrja Publike Banesore’ ka përfunduar ndërtimin e objektit dy katesh në lagjen “Pejton” i cili është i përcjell me 84 lokale me destinim afarizëm. Sipas NPB-së, konkursi për aplikim të palëve të interesuara do të publikohet në shtator.

Lajme

31/08/2017 15:02

NPB-ja priti rreth një vit Komunën e Prishtinës, konkretisht drejtorinë e Inspeksionit që të bëjë pranimin teknik të tyre.

Pranimi teknik u bë pak para se të fillojë fushata për zgjedhjet lokale, shkruan lajmi.net.

“Tashmë komisioni për caktimin e kritereve dhe procedurave për marrje me qira të lokaleve në lagjen “ Pejton ” e ka përfunduar punën e vet e cila është aprovuar nga Bordi Drejtues i Ndërmarrjes Publike Banesore. Këto lokale do të ipen me qira përmes shpalljes publike ashtu siç parashihet me Rregulloren e brendshme për dhënien e pronave të NPB-së me qira. Kjo shpallje do të publikohet në njërën prej gazetave zyrtare të Kosovës, në Ueb-faqe të NPB-së si dhe në faqen e NPB-së në facebook. Konkursi për marrje me qira të këtyre lokaleve do të publikohet në muajin shtator të këtij viti”, thuhet në përgjigjen e NPB-së për lajmi.net.

Ani pse në gjithë këtë procesi janë të involvuar njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje, në NPB kanë thënë se do të jenë transparent më dhënien me qera të tyre.

“I gjithë procesi rreth dhënies me qira të këtyre lokaleve do të jetë transparent dhe i hapur për publikun si dhe për zyrtarët e medieve”, thotë tutje NPB.

Ndërkaq, ndonëse nuk është bërë pranimi teknik i lokaleve, me 4 maj 2017, kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti ka marr vendim për caktimin e përfaqësueseve nga Komuna e Prishtinës, në Komisionin e përbashkët për caktimin e kritereve për ndarjen e lokaleve në lagjen “Pejton” në Ndërmarrjen Banesore. Përfaqësues janë zgjedhur, drejtoresha e Kadastrit të Komunës, Nora Kelmendi dhe drejtori i ri i Urbanizmit i Komunës së Prishtinë, Ardian Olluri.

Kjo ndërmarrje është në pronësi të Komunë së Prishtinës me 100 për qind të aksioneve.

Lokalet gjenden përballë Katedrales në Qendër të Prishtinës, dhe ajo pjesë pas ndërtimit të lokaleve dhe infrastrukturës tokësore rreth saj nga ana e Komunës, ka marrë pamjen e një bulevardi. Sipas të dhënave të NPB-së, me këtë projekt sipas kontratës për shfrytëzim të tokës së Komunës Prishtinës, që për herë të parë është nënshkruar në vitin 1976 dhe e cila më pas është ripërtëri në vitin 2013, i ka përfunduar punimet për gjithsej 84 lokale afariste./Lajmi.net/

lokalett