Lojërat pa kufi të politikës kosovare

Nuk ka mbetë gjë prej normalitetit apo të së zakonshmes në politikën kosovare. Janë kaluar dhe prishur të gjithë kufinjtë e mundshëm që definojnë territorin e një politike të qëndrueshme në një shtet.

Opinion

15/09/2016 10:23

Bota në të cilën akterët kanë fuqi të mjaftueshme për të bllokuar nismat e njëri tjetrit, ndërsa askush nuk ka fuqi që ta imponojë kursin e vet të preferuar të veprimit, është një Botë në të cilën vendimet nuk mirren, mirren shumë vonë, apo ku ato (vendime) dobësohen aq shumë sa më nuk kanë kurfarë ndikimi.
Ky është një citat nga libri shumë i mirë “Fundi i Fuqisë” i Moises Naim, një autor shumë i njohur.
Naim, natyrisht, këtu mirret me Botën e kohës së sotme, e cila gjithjë e më shumë i përngjet një rrëmuje të madhe që imponon ndryshimin e Rendit ekzistues.
Ky Rend i tashëm, përndryshe, është kombinim i atij që ka qenë në fuqi deri në përfundimin e Luftës së Ftohtë, një tjetri që asnjëherë nuk mori trajtat e ‘Rendit të ri ndërkombëtar’  (të paralajmëruar nga George Bush Seniori, Presidenti i SHBA-së në vitet 1989-1993), dhe zhvillimeve që më së shumti i ngjajnë një ‘rënieje të lirë’ të raporteve ndërkombëtare.
Në këtë kryefjalë të Naim, mund të zëvëndësojmë lirisht nocionin Botë me atë Kosovë, për të fituar pastaj këtë formulim: Kosova në të cilën akterët kanë fuqi të mjaftueshme për të bllokuar nismat e njëri tjetrit, ndërsa askush nuk ka fuqi që ta imponojë kursin e vet të preferuar të veprimit, është një vend në të cilin vendimet nuk mirren, mirren shumë vonë, apo ku ato (vendime) dobësohen aq shumë sa më nuk kanë kurfarë ndikimi.
Vështirë është të gjindet dikush në shoqërinë kosovare, i cili sadopak ka vullnet të jetë një vlerësues objektiv i zhvillimeve në Kosovë, që nuk do të pajtohej qind për qind me këtë konstatim të adaptuar të Moises Naim.
A mbajmë në mend një vendim të rëndësishëm për Kosovën, në dy-tri vitet e fundit, që është marrë me kohë, dhe pa përplasje të mëdha në politikën kosovare? A nuk shohim, thuaja për çdo ditë, se si vendimet më të shpeshta janë ato që shquhen me zhagitje, shtyrje, zvarritje, deri në kohën kur ato më nuk kanë vlerë të madhe, apo, kur ato nuk mirren fare. A nuk jemi dëshmitarë të situatës kur askush në këtë politikë, nuk po arrinë ta shtyjë para drejtimin e domsdoshëm për këtë shoqëri dhe për këtë vend?
Politika kosovare është në krizë të thellë të vendosjes për këtë shtet. Për më shumë, kjo politikë ka arritë, me mosfunksionimin e saj  (të duhur), në masë të madhe, ta ndalë ‘orën’ e shoqërisë kosovare.
Pyetja kryesore e kohëve të fundit tek ne, nuk është ajo që konteston funksionimin e kësaj apo asaj qeverie, të kësaj apo asaj formule të koalicionit, por pyetja që thekson qartë dyshimin që politika kosovare mund fare të kthehet në binarët e normalitetit.
Nuk ka mbetë gjë prej normalitetit apo të së zakonshmes në politikën kosovare. Janë kaluar dhe prishur të gjithë kufinjtë e mundshëm që definojnë territorin e një politike të qëndrueshme në një shtet. Pakçka ka mbetë pa ndodhë ndër ne, kur më nuk ka territor dhe nuk ka kufi të qartë të politikës. Dihet çka ka mbetë pa u bë. Ka mbetë të lutemi që diçka e tillë të mos ngjajë në Kosovë.
Në rastet e këtilla, siç është ky i tashmi në Kosovë, fjala magjike që duhet të çelë dyertë e zgjidhjes së problemeve të grumbulluara me vite është ajo që thërret në ndihmë mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat në aspektin ligjor do të ishin të parakohshme, apo edhe të jashtëzakonshme.
Lëmshi i madh politik, që ka marrë formën e lakut që shtrëngën fytin e gjithë një shoqërie, do të duhej të tëfillohej me kutitë e votimit dhe me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
Nuk duhet shumë mend për të kuptuar që votimet e reja, pa bërë reformë të thellë zgjedhore, pa ndryshuar shumëçka sa i përket Listave të kandidatëve për deputetë, dhe gjithsesi, pa e ndryshuar Rregulloren e Kuvendit, nuk do të sjellin këtë zëvëndësimin aq të duhur dhe aq të domosdoshëm të rrëmujës së tanishme politike me rend, me rregull dhe me normalitet.
Në fakt, pa i bërë këto ndryshime ligjore, nëse zgjedhjet do të mbahen me sistemin ekzistues zgjedhor, dhe nëse Kuvendi do të vazhdojë të punojë me Rregulloren ekzistuese, do të na ndodhë që të harrojmë çfarë kemi përjetuar viteve të fundit në politikën kosovare.
(Autori është opinionist i rregullt i lajmi.net)