Lojë me çmimin e rrymës

Derisa Zyra e Rregullatorit për Energji pritet që të mërkurën të hapë procesin për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave, ashtu siç kanë kërkuar KEDS-i dhe KEK-u, zyrtarë të Qeverisë thonë se ngritja e çmimit nuk është e vetmja rrugëdalje. Deklaratat kundërthënëse të Qeverisë nga shoqëria civile janë quajtur lojë.

Lajme

13/08/2014 09:21

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të mundë të gjejë forma për të parandaluar shtrenjtimin e sërishëm të rrymës, për së paku 5 për qind, siç kanë kërkuar dy kompanitë energjetike KEDS dhe KEK.

Këto deklarata i ka bërë për “Kohën Ditore”, zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani, si përgjigje ndaj thirrjeve të organizatave të shoqërisë civile, që dëmet e shkaktuara nga shpërthimi që ndodhi në termocentralin “Kosova A”, të mos u faturohen qytetarëve përmes shtrenjtimit të rrymës, dy herë brenda dy muajsh.

Hasani ka thënë për gazetën se janë në diskutim e sipër “disa zgjidhje”, pasi që Qeveria “nuk do të ishte e kënaqur me shtrenjtimin e rrymës”.

Ndërkohë që ZRRE-ja, sipas burimeve të gazetës, pritet që të mërkurën të hapë procesin për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave, ashtu siç kanë kërkuar KEDS-i dhe KEK-u.

“Ne jemi duke hulumtuar disa mundësi për të bërë ndonjë zgjidhje tjetër financiare, me të cilat mjete do të mbuloheshin shpenzimet që u shkaktuan nga shpërthimi në TC ‘Kosova A’, e jo përmes shtrenjtimit të rrymës”, ka thënë Hasani.