Lobimi për vizat, tek vendet mike të Kosovës!

Në periudhën kur po përfolen shumë data për liberalizimin e vizave, lobimi nga zyrtarët shtetëror të Kosovës po vazhdon.

Lajme

19/06/2018 21:17

Kryeparlamentari Veseli me shumë deputetë, Pacolli me delegacionin e MPJ-së e zyrtarë tjerë kohëve të fundit kanë qëndruar nëpër vendet evropiane duke kërkuar heqjen e vizave.

Turi lobues i Veselit dhe deputetëve të Kuvendit nisi së pari në Austri. Atje bashkë me disa deputetë ai mori zotime se Kosova do të përkrahet në rrugën evropiane.

Pas Austrisë, Veseli me turin lobues vazhduan rrugën për në Francë.

Gjatë ditës së djeshme ata vazhduan takime me zyrtarë francezë, ku u theksua përkrahja për heqjen e vizave për Kosovën.

Në këto takime Veseli ka qenë i shoqëruar nga deputetë të të gjitha partive politike.

Veç Veselit sot një tur lobues e ka nisur edhe shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli.

Pacolli ka qëndruar në Austri ku kërkoi përkrahje edhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Ne, shikojmë përpara tek Presidenca austriake e Këshillit Evropian dhe rolin Tuaj, që të sillni Ballkanin Perëndimor brenda agjendës së BE-së; në veçanti në lidhje me liberalizimin e vizave dhe shpresojmë që BE-ja do të merr një vendim gjatë Presidencës Tuaj“, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli.

Por është i çuditshëm fakti se lobimi po bëhet në vendet të cilat Kosova ka raporte të mira, e kur dihet se vota e tyre do të ishte pro heqjes së vizave për Kosovën.

Franca dhe Austria llogariten si dy nga shtetet mike të Kosovës, të cilat gjithashtu do të lobojnë për rrugën evropiane të Kosovës.

Këto vizita më herët ishin kritikuar nga analistë, të cilat sipas tyre nuk do të sjellin ndonjë sukses.

Ndryshe, raportin për vizat nga Parlamenti Evropian, Kosova pritet ta marrë gjatë ditëve në vazhdim. /Lajmi.net/