“Llupë” edhe për diplomacinë kosovare

Inspektori Diplomatik është ai që i ka munguar strukturës organizative të diplomacisë kosovare.

Lajme

03/09/2015 15:16

Në të kaluarën ka pasur shumë ankesa për veprime të papërgjegjshme në misionet diplomatike dhe postet konsullore të Kosovës dhe kjo si duket e ka shtyrë Ministrinë e Punëve të Jashtme që të krijojë bazë ligjore edhe për pozitën e Inspektorit Diplomatik, i cili do të merret ekskluzivisht me mbikëqyrjen e diplomatëve të Kosovës.
“Inspektori Diplomatik do të jetë një diplomat i karrierës, i cili do të emërohet nga ministri i Punëve të Jashtme dhe do të inspektojë e kontrollojë misionet diplomatike dhe postet konsullore të Kosovës”, tregon Ardian Arifaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të MPJ-së, Hashim Thaçit, raporton Telegrafi.

Sipas Arifajt, në rast se konstatohen shkelje ligjore ose keqmenaxhim i burimeve njerëzore ose financiare në ndonjë mision diplomatik ose post konsullor, Inspektori Diplomatik do t’i raportojë menjëherë Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Sekretarit të Përgjithshëm dhe do të rekomandojë masat e nevojshme për përmirësimin e organizimit dhe të punës.

Kjo, sipas tij, është përfshirë në Projektligjin e ri për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës. “Në këtë mënyrë do të krijohet një mekanizëm më efektiv i mbikëqyrjes administrative të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore dhe do të mundësohet një shfrytëzim më efikas i burimeve njerëzore dhe financiare të shtetit”, thotë Arifaj. /Telegrafi