Lluka: Sot fillon shpronësimi në Shipitullë, do ta evitojmë rritjen e çmimit të rrymës

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka ka konfirmuar se shpronësimi në Shipitullë do të fillojë sot.

Lajme

26/12/2017 13:07

Ai ka shtuar se tash KEK-u do të punojë 24 orë në nxjerrjen e qymyrit.

“Sot po fillon shpronësimi në Shipitullë është një çështje shumë me rëndësi për vendin dhe ka qenë një periudhë 2 vjeçare që e ka mbajtur vendin pengë dhe me shpronësimin në Shipitullë tash KEK-u do të punoj në 24 orë në nxjerrjen e qymyrit”, tha ai.

Sipas tij, deri në shkurt do të punohet me kapacitete të plota që të evitohet rritja e çmimit të rrymës.

“Në mënyrë që kur të vije koha e përfundimit të gjitha rezervave që është dikur në shkurt të mos kemi pengesë dhe të kemi kapacitete të plota në mënyrë që të evitojmë çdo rritje të çmimit të rrymës”, shtoi Lluka. Shpronësimet në Hade dhe Shipitullë do të kushtojnë 25 milionë euro krejt kjo për shkak të vonesës për shpronësimin e 52 hektarëve.

Kryeministri Ramush Haradinaj më 9 dhjetor u ka dhënë afat banorëve të Shipitullës dhe Hades që t’i nënshkruajnë kontratat me ofertën që u ka dhënë Qeveria.

“…pas dhjetë ditësh zbatohet Ligji për Shpronësim që është gjysma e asaj që ju kemi ofruar dhe me ekskavatorë do të hiqen nga aty”, kishte thënë Haradinaj.Aktualisht janë vetëm dy blloqe duke prodhuar rrymë në KEK deri në 450 MW. /EkonomiaOnline/