Lluka: Situata në Postën e Kosovës, shqetësuese

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka ngrehur shqetësimin për situatën e krijuar në Postën e Kosovës, por ka premtuar se do të bëjnë të pamundurën për të gjetur zgjidhjen.

Lajme

11/07/2018 12:43

Para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Lluka tha se Posta e Kosovës gjendet në rrethana shqetësuese, për shkak të zvogëlimit të shitjes në vitet e fundit.

“Posta e Kosovës, si shumica e ndërmarrjeve të tjera, ka një gjendje shqetësuese për shkak të qarkullimit dhe zvogëlimit të shitjes viteve të fundit”, theksoi Lluka.

“Rreth 80% e qarkullimit është në paga. Nga ana tjetër, është shërbimi universal postar. Edhe me ligj parashihet që mund të subvencionohet nga qeveria apo aksionari në këtë rast. Për t’i ndihmuar postës në pagesën e pagave, kam kërkuar që Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) të bëjë një vlerësim të kostos universale postare”.

“Sa i përket tre mujorit të parë të këtij viti, ka pasur një rënie edhe në shitje. Aktualisht 4.5 milion euro merr posta  nga telekomi. Nëse nuk paguan ose zvogëlon qiranë, ndikon negativisht. Telekomi dhe bordi ka marr vendim për zvogëlimin e qirasë, mirëpo ka pasur pakënaqësi. Janë disa gjëra që duhet të vendosen, që ta favorizojmë postën dhe ta sigurojmë mbijetesën”, tha ai.

Kryesuesi i bordit, Halit Isufi, ndwrkaq, pohoi se Posta ka probleme të mëdha me uljen e shërbimeve të telekomit, raporton Ekonomia Online.

“ Përkundër pagesave dhe vështirësive, jemi detyruar që të shpërndajmë skemat sociale përmes bankave. Jemi e vetmja ndërmarrje publike shtetërore që kemi ulur pagat, kemi filluar nga shefi ekzekutiv, ku kemi ulur 30% deri tek punëtorët. Kemi ndërmarrë veprime që kemi menduar se ndikojnë pozitivisht.  Këto muajt e fundit kemi probleme jashtëzakonisht të mëdha, për shkak të uljes se shërbimeve të telekomit”, tha Isufi.