Lluka: Rinia potenciali kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, mori pjesë në Festivalin Çmimi i Rinisë Evropiane (European Youth Award – EYA) një konkurs pan-Evropian për të rinjtë, sipërmarrësit dhe inovuesit evropianë që krijojnë projekte dixhitale me synimin për të përmirësuar shoqërinë, që u mbajt në Graz të Austrisë, ku ndau çmimin kryesor të këtij eventi.

Lajme

02/12/2017 16:15

Me këtë rast, Ministri Lluka foli për rininë e Kosovës dhe potencialin që e ka për të qenë shtylla kryesore e ekonomisë së vendit në të ardhmen. “Kemi një popullatë shumë të re që është bekim për vendin, por edhe obligim që të gjejmë mekanizma për t’i mbajtur të edukuar dhe të angazhuar me punë”, tha ai.

Kreu u MZHE-së u ndal te projekti që është në zhvillim e sipër, për të cilin do të investohen 60 milionë euro, ku 80 për qind shkojnë në infrastrukturë duke e mbuluar 98 për qind të territorit të Kosovës me fibër optik për të siguruar qasje të shpejtë të internetit në të gjitha fshatrat, shkollat e spitalet në Kosovë dhe pjesa e mbetur (12 milionë) do të shpenzohen në ndërtim të kapaciteteve njerëzore duke trajnuar dhe promovuar punën e të rinjve brenda dhe jashtë Kosovës.

Ministri Lluka gjithashtu theksoi se institucionet kudo në Evropë kanë obligim 3 gjëra: 1. Të investojnë në infrastrukturë dhe të heqin të gjitha barrierat për të rinjtë, 2. Të investojnë në edukim dhe të sigurohen që sistemet e edukimit janë të bazuara në kërkesat e tregut si dhe 3. Të krijojnë fonde dhe platforma që përkrahin ide inovative edhe më shumë./Lajmi.net/