Lluka propozon shkarkimin e 4 anëtarëve të Bordit të “Ibër-Lepencit”

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka marrë vendim që t’i propozojë qeverisë shkarkimin e katër anëtarëve të bordit të “Ibër Lepenc-it”.

Lajme

04/05/2018 21:39

KALLXO.com ka siguruar këtë propozim- vendim, ku emrat e anëtarëve të këtij bordi, të cilët pritet të shkarkohen janë: Fatos Salihi, Albina Maloku, Imer Hamiti dhe Sami Veliu.

Në arsyetimin e ministrit Lluka për shkarkimin e këtyre katër anëtarëve, përmendet një vendim i këtij bordi ku ndër tjera parasheh dhe pagën e 13-të për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes “Ibër Lepenc”.

“…përkundër humbjeve të audituara nga Auditori i Pavarur prej 4,177,032 eurove, me datën 10 prill 2018 kanë nxjerrë vendim për ndarje të shpërblimit në lartësinë 50% të honorarit themelor vjetor për anëtarët e Bordit të Drejtorëve për vitin 2017 si dhe një pagë shtesë mujore (paga e 13-të) për të gjithë të punësuarit e ndërmarrjes”, thuhet në propozim-vendimin për shkarkim, i cili i është dërguar edhe Kryeministrit.

Referuar kësaj letreje, thuhet se vendimi i bordit përveç që cenon skajshmërisht dispozitat ligjore në fuqi, gjithashtu krijon situatë të pafavorshme financiare për ndërmarrjen dhe aksionarin, respektivisht, Republikën e Kosovës si pronare e kësaj ndërmarrjeje.

Propozim- vendimin për shkarkim e ka konfirmuar edhe këshilltari politik i ministrit, Shkumbin Asllani.

“Ky vendim përfundimisht do të kalojë në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.