Lluka premton hapa konkrete për aktivizimin e Aeroportit të Gjakovës

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka deklaruar se Aeroporti i Gjakovës  është një aset jashtëzakonisht i madh për vendin dhe nuk duhet të lihet të shkatërrohet, por të funksionalizohet në funksion të zhvillimit ekonomik.

Lajme

21/03/2018 15:29

Këto komente, Ministri Lluka i bëri sot gjatë vizitës në Komunën e Gjakovës, ku është takuar me kryetarin e komunës, Ardian Gjini, ndërsa vizitoi edhe Kompaninë Rajonale të Ujit ‘Gjakova’.

Ministri Lluka tha pas takimit se tema kryesore që është biseduar me kryetarin e Gjakovës ishte Aeroporti, duke shtuar se MZHE dhe Komuna kanë rol të rëndësishëm në aktivizimin e tij.

“E kemi përsipër një punë jashtëzakonisht të rëndë sepse MZHE duhet të koordinojë punët me ministritë përkatëse për aktivizimin e aeroportit përmes Komisionit Ndërministror për Partneritet Publiko-Privat”, tha Lluka.
Sipas tij, aktivizimi i Aeroportit të Gjakovës do bëhet si pjesë e Aeroportit të Prishtinës dhe për këtë janë duke u shqyrtuar të gjitha format ligjore, pasi nuk mund të krijohet një aeroport dytësor në Kosovë.

“Nëse ne bashkëpunojmë me  Aeroportit të Prishtinës ata kanë interesim ta marrin përsipër dhe ta aktivizojnë Aeroportin e Gjakovës, duke gjeneruar një punësim të konsiderueshëm 60-100 persona”, tha kreu i MZHE-së, duke sqaruar se ky Aeroport do të jetë komercial dhe nuk do të jetë vetëm për një qëllim.

Ndër çështjet tjera që u diskutuan  në këtë takimin ishin edhe terminali doganor, parku i biznesit në Gjakovë dhe subvencionimi i bizneseve.

Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, biseduan për tema të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin në Gjakovë.

“Biseduam për projekte të mundshme, për nevojat që kemi dhe bashkëpunimin me Ministrinë si Komunë e Gjakovës. Jemi ndal edhe në disa çështje që janë jetike dhe strategjike. Kemi provuar të koordinohemi për këto projekte dhe një prej tyre është edhe Aeroporti edhe zona industriale”, tha ai.

Më pas, Ministri Lluka i shoqëruar nga Kryetari Gjini ka vizituar KRU Gjakova, ku u shënua Dita Ndërkombëtare e Ujit.

Me këtë rast, Lluka tha se KRU “Gjakova” është kompania me performancën më të mirë në Kosovë, dhe kjo është dëshmuar edhe nga rregullatori i ujërave.

Ai tha se janë duke bërë përpjekje që 100% e qytetarëve të jenë pjesë e kyçjes së ujit të pijshëm, duke shtuar se për përmirësimin e këtyre shërbimeve do të realizohen investime të konsiderueshme./Lajmi.net/