lajmi.net

Lluka: Pas dy viteve mund të filloj privatizimi i Telekomit

Qeveria e Kosovës është duke pritur rekomandime nga Bordi i Telekomit të Kosovës se si duhet të veprohet për të shpëtuar këtë ndërmarrje nga falimentimi. Kurse zyrtarët e Qeverisë kanë thënë se pas dy viteve mund të fillojnë procedurat për privatizimin e Telekomit.

Lajme

30/05/2018 10:12

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë për Telegrafin se brenda kësaj jave priten të merren rekomandimet nga Bordi lidhur me ristruktirimet.

“Brenda kësaj jave presim t’i marrim rekomandimet nga Bordi lidhur me ristrukturimet që do të merren në Telekom. Këto masa do të shqyrtohen në Qeveri dhe pastaj që të zbatohen që është qëllimi i kursimit të atyre humbjeve që ka pasur Telekomi rreth 15 milionë euro në vit”, tha Lluka.

Sa i përket privatizimit të Telekomit, ministri Lluka ka thënë që së pari duhet të bëhet stabilizimi i ndërmarrjes e pastaj të mendohet privatizimi.

“Sa i përket privatizimit, së pari Telekomi duhet rregullohet, të paktën jo në ato humbjet që i ka deri tani, atëherë mundemi të shkojmë drejt privatizimit. Aktualisht është duke u promovuar kjo ide që ndoshta pas dy vite mund të filloj procedura për privatizim”, tha ai.

Lluka ka treguar se ekzistojnë shumë kontrata të dëmshme brenda Telekomit.

“Më është treguar se në Telekom ka mbi 15-20 kontrata të dëmshme. Pa u rregulluar dhe shqyrtuar këto kontrata me gjykata, atëherë ka frikë që merret pjesë në privatizim”, tha Lluka.

“Është për keqardhje që njëra nga ndërmarrjet dikur më profitabile në vend, sot përballet me telashe financiare. Ndërmarrja ka nevojë për menaxhment profesional i cili do të drejtojë procesin e ristrukturimit të saj dhe normalizimit të funksionimit”, tha Zeka.

Sipas tij, ndërmarrja nuk ka mundur t’i përshtatet zhvillimeve teknologjike me qëllim të përmbushjes së kërkesave të konsumatorëve.

“Është e vërtetë që zhvillimet teknologjike kanë mundur të ndikojnë në rënien e të hyrave nga komunikimet telefonike, megjithatë ndërmarrja ka mundur të avancojë shërbimet e tjera të saj, duke iu përshtatur edhe zhvillimeve teknologjike, por edhe duke përmbushur kërkesat e konsumatorëve”, tha Zeka.

Privatizimi i Telekomit, sipas tij, mund të mos jetë i efektshëm nëse nuk bëhen investime.

“Nëse analizohet gjendja momentale e ndërmarrjes dhe pa investime në ngritjen e vlerës së ndërmarrjes, privatizimi mund të mos jetë shumë i efektshëm”, tha Zeka.

LM