Lluka: Niveli politik nuk duhet të diskutojë për “Trepçën”

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka kërkuar që niveli politik të mos diskutojë për “Trepçën”.

Lajme

05/02/2019 13:55

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se “Trepça” është duke funksionuar shumë mirë në aspektin teknik, ka gatishmëri edhe tek pala serbe, por sipas tij, situata ndryshon kur kalon në rrafshin politik.

“Mendojë që politika nuk ka se pse merret me Trepçën”, tha ministri Valdrin Lluka, në përgjigje të zëdhënëses së Bashkimit Evropian e cila deklaroi sot se për Trepçën duhet të bisedohet në Bruksel.

Lluka në një intervistë për televizionin publik, tha se kur ka kaluar ligji për Trepçën dhe statuti i kompanisë, është paraparë që gjithçka të funksionojë nga bordi prej  9 anëtarë, 3 anëtarë prej të cilëve i janë dedikuar Trepçës në veri, pra serbëve.

Ai tha se serbët nuk i kanë përmbushur dhe vendet që kanë mbetur vakante.

Sipas tij, janë duke u përcjellë procedurat sepse asnjë eksport nuk mund të realizohet pa marrë leje të bordit.

“ Ne mund të ecim para dhe ka disponim pozitiv tek të gjithë palët kur flasim në aspektin teknik, por ndryshon kur hyn në aspektin politikë, gjë që nuk ka nevojë. Ekziston gatishmëria tek të gjitha palët për të ecur dhe ka interes të investitorëve për Trepçën”, tha Lluka.

Sipas tij, rezervat minerale janë të shtetit dhe ashtu do të mbetet por vetëm operimi mund të privatizohet.

“ Miratimi i Statuti të Trepçës , është diskutuar me të gjithë palët do të ecim tutje. Nuk ka sens sepse ka 20 vite që minatorët kërkojnë benifitet. Ligji për kërkesat sociale do të miratohet shpejt. Parashihet për 3 muaj, por meqë nuk është në kompetencat tona nuk mund të garantojë. Por besoj se do të jetë Brenda normave të   miratimit të ligjeve ”, tha tutje Lluka.

Sipas tij, sa më shpejt reagohet dhe mund të ketë rritje si të eksporteve ashtu edhe të punësimit.

“ Varet nga menaxhmenti dhe bordi se sa do të bëjë projekte dhe sa do të gjejë financime për tu rritur. Nuk mund të presim më subvencionime nga buxheti. I kemi dhënë 4 milionë euro,por kjo qasje duhet të ndryshojë. Duhet të rritet prodhimi”, tha Lluka, i cili foli edhe për involvimin e Bankës Evropiane për Rindërtim Dhe Zhvillim.