Lluka: Në platformën për dialogun do të përfshihen të pagjeturit

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka prezantuar planin e përbashkët të punës para Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Lajme

06/06/2018 12:13

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit tha se në platformën për dialogun që u tërhoq dje nga Kuvendi do të japin kontribut edhe deputetët dhe se aty do të përfshihet edhe çështja e të pagjeturve.

“Platforma është tërheq nga kuvendi me ua jep juve mundësinë juve me krijuar platformën, ju duhet me pas rolin edhe aty futet çështja e të zhdukurve”.

Ai ka njoftuar se kanë formuar grupin punues për koncept dokumentin për ndryshimin e Ligjit për të pagjeturit.Lluka deklaroi se është me rëndësi që sa me shpejtë te ndryshohet Ligji sepse familjarët janë të zhgënjyer pasi sipas tij, shumica prej tyre janë në gjendje të rëndë dhe premtoi se Qeveria do tu ndihmojë.

Ai ka njoftuar komisionin për takimin parapërgatitor për Samitin e Londrës që është mbajtur javën e kaluar në Podgoricë.

Lluka tha se në takim janë marrë vesh që të krijohet një draft që do ta nënshkruajnë kryeministrat në Samitin e Londrës, në të cilin sipas Llukës do të trajtohet çështja e të pagjeturve dhe aty Kosova do të trajtohet si shtet i pavarur, raporton Ekonomia Online.

Sipas Llukës, Samiti i Londrës i cili do të mbahet më 9-10 korrik, do të jetë një dritë në fund të tunelit për familjarët e të pagjeturve.

“Në takim me gjitha shtet e Ballkanit jemi marrë besh që ta kemi një draft që do ta nënshkruajnë kryeministrat. Në Ballkan ka 12 mijë të pagjetur. Në Kosovë mbi 70 për qind kemi zgjidh fatin, por nuk duhet të jemi të kënaqur sepse i kemi ende mbi 1600 të zhdukur. Samiti i Londrës do të jetë një dritë në fund të tunelit për shumë familjarë”.

“Informacioni për të zhdukurit dihet adresa, nëse Serbia pranon të nënshkruajë këtë deklaratë, nuk pranojmë të jemi në rreshtin e dytë në asnjë deklaratë, jemi shtet i pavarur dhe ashtu jemi sjellë ende në Podgoricë, na kanë pranuar si të barabartë. Do të insistojmë që kryeministri në samit ti paraqes kërkesat tona. Angazhimin personal është që rezoluta e miratuar në kuvend të mos ketë fatin e rezolutave tjera, rezolutën do ta kemi pikë për pikë”.

Lluka ka folur edhe për tenderin rreth kompleksit memorial në Meje.

“Qeveria s’ka shpallur tender për Mejen, është agjencioni në kuvend. Nuk me intereson Prenk Gjetaj a është kusheri i atij që e fiton tenderin, duam të zbatojmë ligjin. Për shkak të fjalësve dhe kërkesave kryeministri është marrë. Kush është ai që ka hanger hudhër i vjen era. Dokumenti i samitit, janë tri versione, kur ta kemi versionin final do ta shohim. Drejtori i institutit, mundeni me ngirt zërin në kuvend pse nuk është zgjedh, duhet ta ngrisni zërin për të kritikuar Qeverinë pse po vonohet”.

Saranda Bogujevci nga VV, tha se është e rëndësishme që komisioni parlamentar dhe ai qeveritar të komunikojnë mes vete.

“Te Samiti i Londrës, përmendendët që është krijuar një dokument në Podgoricë, a është e mundshme me pa ne si komision se çka është kërkuar në atë dokument për të pagjeturit. Është me rendësi me mbajt kontaktin mes komisioneve për të qenë të informuar”.

Mexhide Mjaku – Topalli nga PDK pyeti Llukën rreth mundësisë që në platformën për dialogun me Serbinë.

“Menjëherë po shihet qe dy pika të rezolutës i keni futur në planin e punës. Të pika 3.1 ku është dialogu me Serbinë keni parapa platformën për dialog dhe përfshirja në të e personave të pagjetur. Sa do të jetë mundësia të futni në platformë çështjen e të pagjeturve.”

Kryetari i KQPZh-së, Prenk Gjetaj, ka folur shkurtimisht rreth bartjes së trupave që kanë qenë jashtë varrezave.

“Pjesa e bartjes së trupave qe kanë qenë jashtë varrezave. Ne kemi kryer me kompaninë zhvarrosjen. Kemi qen ne kemi kryer me kompaninë zhvarrosjen. Kemi qenë të interesuar të kemi përkrahje, ka pasur laramani dëshirash si te vendosen simbolet fetare”.

Kushtrim Gara, udhëheqës i zyrës së KQPZh-së, duke folur për data-bazën tha se të gjithë personat e të pagjetur i kanë të dhënat të regjistruara.

“Është me rendësi që njëri nga zyrtarët e komunave ta ketë në program çështjen e personave të pagjetur. 25 komuna janë përgjigjur, janë në përkrahje të familjeve. Do ta intensifikojmë këtë bashkëpunim. Për data-bazën, deri më tani me përkrahjen e ambasadës së Britanisë dhe ministrisë së drejtësisë kemi arritur të regjistrohen të dhënat e 1 mijë e 600 personave të zhdukur. Të gjitha dosjet e personave të zhdukur do ti kemi të skanuara. Për te gjithë të zhdukurit i kemi të dhënat të regjistruara”.