Lluka: Ministria ka bërë hapa konkret për digjitalizimin e ekonomisë në vend

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ishte pjesë e hapjes së edicionit të 7-të të KosICT.

Lajme

12/10/2018 19:40

Në fjalën e tij, ministri Lluka tha se Teknologjia e Informimit dhe Komunikimit (TIK) ka një rol të veçantë në zhvillimin e ekonomisë konkurruese, duke mundësuar sigurimin e një cilëse më të lartë në jetën e qytetarëve, dhe rritjen e efektivitetit e transformimi të qeverisjes.

Lluka tregoi se Ministria ka bërë lehtësim doganor për këtë sektor, dhe se ka bërë hapa konkret në dixhitalizimin e ekonomisë së Kosovës, përcjellë lajmi.net.

Sipas kumtesës për media, Lluka njoftoi se janë bërë përparime në përhapjen e broadbandit mobil siç janë shërbimet e teknologjive të reja si 3G, 4G/LTE. Ndërsa shtrirja e qasjes fikse në internet në Kosovë ka tejkaluar 90%.

 

Njoftimi i plotë:

“Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) luan një rol të veçantë në zhvillimin e një ekonomie konkurruese të bazuar në dije dhe në inovacion. Kjo teknologji mundëson sigurimin e një cilësie më të lartë të jetës për qytetarët, ndihmon në lehtësimin dhe efikasitetin e proceseve të punës, e për më tepër edhe në rritjen e efektivitetit dhe transformimin e qeverisjes”.

Këto komente Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka i bëri gjatë hapjes së edicionit të 7-të të KosICT, ku morëm pjesë Ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe përfaqësues nga ambasadat e huaja në Kosovë.

Ministri Lluka, njoftoi pjesëmarrësit për hapat që ka marrë Ministria, si në rastin e lehtësirave doganore e fiskale që janë bërë me fokus të veçantë për këtë sektor, por edhe në hapat konkret për të zhvilluar infrastrukturën broadband në tërë Kosovën, rritjen e aftësive dixhitale si dhe për dixhitalizimin e ekonomisë së Kosovës.

Gjithashtu, Lluka tha se janë bërë përparime në përhapjen e broadbandit mobil siç janë shërbimet e teknologjive të reja si 3G, 4G/LTE. Ndërsa shtrirja e qasjes fikse në internet në Kosovë ka tejkaluar 90%.

Po ashtu, i pari i MZHE-së, ka folur edhe për projektet që janë aktuale si: Programi për Ekonominë Dixhitale të Kosovës (KODE), shtrirja e infrastrukturës telekomunikuese brezgjerë në zonat e pambuluara si dhe për mbështetjen nga Komisioni Evropian përmes fondeve të IPA II (3 milion euro), që ka për qëllim zhvillimin e kapaciteteve njerëzore për ekonominë digjitale dhe mbështetjen për bizneset digjitale.

Projekt ky që do të zbatohet nga viti 2019 deri 2021. Ministri Lluka, u zotua që përkrahja e Ministrisë që ai drejton nuk do të mungoj dhe se Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), do të ketë kujdesë të veçantë nga ana e Ministrisë.