Lluka: Do të punojmë që Termocentrali ‘Kosova e Re’ të përfundojë në afat të paraparë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re është projekti më strategjik për vendin dhe zhvillimin ekonomik.

Lajme

10/10/2018 18:29

Lluka përmes një postimi në Facebook, ka thënë se së bashku me investitorin e ‘ContourGlobal’ do të punohet që ky projekt të përfundoj në afat të paraparë, përcjell lajmi.net.

Ndërkohë sot, Banka Botërore njoftoi se nuk do ta mbështesë financiarisht projektin ‘Kosova e Re’

Postimi i plotë:

Ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re, siç është komunikuar deri më tani, është projekti më strategjik për vendin dhe zhvillimin ekonomik të saj që nga pas lufta, andaj, ju siguroj që së bashku me investitorin ContourGlobal, do të punojmë që ky projekt të përfundoj në afat të paraparë.

Ne nuk do të bëjmë kompromise në dëm të sigurisë shtetërore të furnizimit me energji elektrike. Si ministër i këtij vendi, përgjegjës për energji, nuk do ta lejoj që Kosova të varet nga importet e energjisë, duke zhvilluar aktivitet ekonomik dhe punësime për vende tjera, përderisa ne kemi potenciale të jashtëzakonshme të gjenerojmë energji jo vetëm për nevoja tona, por edhe për eksport. Ne duhet të sigurojmë pavarësi energjetike dhe nuk ka alternativë tjetër, ashtu siç nuk kemi alternativa tjera për gjenerim të energjisë elektrike.

ContourGlobal është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të këtij projekti nga burime të ndryshme siç janë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare. /Lajmi.net/