Llogaritë e gabuara

Shkalla e besimit të qytetarëve në përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, në politikën e Kosovës në përgjithësi, është e ulët, në variantin e mirë, dhe nuk ekziston fare, në atë të keqin.

ShowBiz

23/11/2013 11:27

Ese Politik: Ballafaqimi me vetveten  (2)

 

Po të marrim disa shembuj të këtij viti, do të jetë fare e lehtë të konkludohet që qytetari i zakonshëm kosovar nuk e ka humbur ndjeshmërinë dhe as interesimin për fatin e atyre që janë keq, që qyshdoqoftë janë goditur nga fati, dhe të cilët varen drejtpërdrejt prej solidaritetit të të tjerëve.

Ta zëmë, vitin e shkuar ka qenë thuaja e pamundur që së paku një anëtar i familjeve tona, njëri prej atyre që bëjnë një shoqëri në një tavolinë kafeneje, disa prej atyre që punojnë me ne, nuk janë marrë me mbledhjen e tapave në aksionin ‘Pak nga pak’.

Ishte kjo një dukuri masive, mbresëlënëse, gjithsesi, për t’u admiruar prej të gjithë neve.

Një shoqëri u çua në këmbë, që të mundësohet riciklimi i tapave dhe bërja e karrocave për invalidë.

U gjet, si thuhet, damari i interesimit të qytetarëve të rëndomtë. Secili, sadopak, dëshironte të bëhet pjesë e një vepre madhore humanitare, çfarë ishte kjo. Secili që ishte në këtë zinxhir të gjatë bamirësie, edhe vetë ndihej tepër mirë.

Në javët e para të këtij viti, u mor vesh, prej të gjithë neve, se kush është Naron Kçiku, një foshnje tetëmuajshe, me probleme të mëdha shëndetësore, të cilës duhej patjetër t’i transplantohet mëlçia. Çmimi, tepër i lartë për familjen e tij që kalonte edhe shumën prej 100 mijë Eurove.

Jeta e Naronit të vogël varej drejtpërdrejt prej nesh, prej qytetarëve të Kosovës.

Për një afat rekord, u mbërri shuma e nevojitur. Sërish, si te rasti i tapave, qytetarët e panë të arsyeshme të ofrojnë përkrahje, kësaj radhe financiare, për të shpëtuar një jetë.

Kur të rritet, Naroni do të kuptojë se çfarë kishte arritur të bëjë në këtë shoqërinë kosovare.

Janë ndërtuar, pastaj, dhjetëra dhe qindra shtëpi anekënd Kosovës, pas storieve televizive ku paraqiteshin rastet e rënda të skamjes. Janë bërë bashkë disa veta, apo, edhe ndërmarrësit tonë, dhe kanë bërë një vepër humane: Kanë bërë me kulm, një familje. Ia kanë mundësuar asaj familjeje të ketë një jetë shumë më të mirë.

Më në fund, për çdo vit, qindra miliona Euro ndihmë mbërrijnë në Kosovë, tek familjarët e tyre, prej shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë kudo në Perëndim.

Po mos të ishin këto para, jo vetëm që qindra mijëra kosovarë do ta kishin të rrezikuar mbijetesën, por shteti i Kosovës nuk do të kishte fare gjasa që disi ta ruajë këtë gjendje sociale, edhe ashtu shumë të rënduar. Mund të merret me mend se çka do të ndodhte në atë rast.

Paratë që vijnë nga jashtë, i ngjajnë transfuzionit të gjakut të freskët për një organizëm të sëmurë.

Ka, me siguri, edhe shumë shembuj të ngjashëm të cilët konfirmojnë shkallët e lartë të interesimit të qytetarëve të Kosovës për njëri-tjetrin. Zemrën, si thuhet, e kemi në vend. Aty ku edhe duhet të jetë.

Por, ja, le të paramendojmë tash situata të kësisojta, pak a shumë me protagonistë të njëjtë, por kur thirrja për ndihmë nuk është anonime, gjegjësisht, nuk vjen prej vetë familjes që është goditë keq, por prej shtetit të Kosovës, prej institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës.

Pra, le të mendojmë për pak çaste, që Qeveria a Kuvendi i Kosovës, bëjnë një apel drejtuar qytetarëve të Kosovës, për të siguruar karroca për invalidët e luftës, ashtu që të mblidhen tapa sa më shumë, për ta bërë riciklimin e tyre. Apo, që instancat më të larta të Kosovës shfaqen me pamjet e Naron Kçikut, ose edhe me tablotë e të vobektëve që nuk kanë shtëpi. Apo, Qeveria e Kosovës do të kërkojë që qindra miliona Euro nga shqiptarët e Perëndimit, të derdhen në një Llogari të veçantë dedikuar, ta zëmë, zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Mirë, këtu shumë prej nesh do të mund të themi që është pikërisht detyrë e institucioneve qendrore të Kosovës të preokupohet me këto raste, që të gjejë mënyrë për t’u dalë në ndihmë atyre. Pastaj, shumë shqiptarë që jetojnë në Perëndim do të thonë që kanë dhënë, secili prej tyre, mijëra dhe dhjetëra mijëra marka gjermane, franka zviceranë dhe dollarë amerikanë për tre përqindëshin e Qeverisë Bukoshi dhe Fondin “Vendlindja thërret” gjatë luftës, ndërsa sot e kësaj dite nuk e dinë se a janë përdorur të gjitha mjetet sipas dedikimit të tyre.

Por, ja që Qeveria nuk mund të mbërrijë kudo, nuk ka para të mjaftueshme për ta ngjallë ekonominë e vendit, prandaj edhe shtrinë dorën kah ne.

Çka do të ndodhte në këtë rast? Si do të reagonin qytetarët e Kosovës? Si do t’i përgjigjeshin ata ftesës së autoriteteve qendrore të Kosovës?

Nëse për pak çaste, provojmë ta gjejmë përgjigjen e sinqertë, do ta dimë se cila është përgjigjja: Nuk do të mblidheshin tapa as përafërsisht sa ishe rasti i vërtetë, Naroni do të duhej të priste edhe shumë kohë për shpëtimin e tij, shumë prej skamnorëve do të vazhdonin t’i qanin hallet e tyre para kamerave televizive, në ‘Reality Show’ të mirëfilltë, e sa për Llogarinë për zhvillimin ekonomik, ajo nuk do të mbushej kurrë më shumë se me disa mijëra Euro.

Çfarë po ndodh atëherë? Si është e mundur që po të njëjtit njerëz që në apelin privat për ndihmë, ofrojnë qindra e mijëra Euro, kur këtë e bëjnë institucionet e vendit, nuk duan të japin as një euro, sa kushton një thirrje telefonike përkrahjeje për pjesëmarrësit në spektaklet televizive ‘Big Brother’, ‘Voice of Albania’, “X Factor”, etj. etj.

Qindra justifikime mund të shfaqen këtu me shpejtësi rrufeje. Përgjigjet, si thuhet, na rrinë në maje të gjuhës.

Do të thuhet, për shembull: Si të përkrahet Qeveria e filanit? Kuvendi i fistekut? Si të jepen para për këta pushtetarë që na bënë horë? Po ata e kanë gërryer arkën e shtetit, le të japin vetë, se kanë para sa të duash? Ku po e dimë, edhe nëse i japim paratë, që ato do të mbërrijnë atje ku duhet, apo që njëmend do të përfitojnë ata që i kanë punët aq ngushtë?

Dhe shumë e shumë të tjera.

Sidoqoftë, një gjë është shumë e sigurt, në fakt absolutisht e sigurt: Qytetarët e Kosovës, shumë, shumë prej tyre, më lehtë preken, më shumë emocionohen, më fortë bashkëndjejnë, më tepër interesohen për të pafatit, nëse ata kërkojnë ndihmë në emër të vet, apo, edhe në emër të familjes, sesa nëse e tëra bëhet nga institucionet e shtetit.

Ky është fakt. Nuk është mendim i lirë. Është fakt i provuar dhe i vërtetuar shumë herë viteve të fundit.

E mira nuk ka kufi. Mësa edhe e keqja. Këtë e kishte kuptuar Schindler në fund.

 

Njëra prej skenave më prekëse, e cila si thuhet, e bën edhe gurin me lot, në filmin antologjik “Lista e Schindlerit” të Steven Spielbergut, është ajo kur Oskar Schindler, të cilin e përjetëson Liam Neeson, ndahet prej atyre që i kishte shpëtuar prej vdekjes së sigurt.

Schindler, i cili mezi ndahet prej hebrenjve që i kishte heq nga Listat për Zhdukje, përsërit pa ia nda: Kam mundur të bëj më shumë. Është dashtë të bëj më shumë, të shpëtoj më shumë veta…

E mira nuk ka kufi. Mësa edhe e keqja. Këtë e kishte kuptuar Schindler në fund.

Shqiptarët e Kosovës, deri para pak vitesh, kanë pasur të njëjtin mendim (si Oskar Schindler) për të bëmat e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Asgjë nuk duhej kursyer për shtetin, për lirinë e kombit.

Për pak vite kemi mbërritur aty ku askujt në Tokë të Bukës, si themi ndër ne, nuk do t’ia kishte marrë mendja, pra. Shkalla e besimit të qytetarëve të Kosovës në ata që e përfaqësojnë shtetin e Kosovës, në politikën e Kosovës në përgjithësi, është e ulët, në variantin e mirë, dhe nuk ekziston fare, në atë të keqin.

Ne nuk po i duhemi gjë pushtetit të Kosovës. Pse atëherë të mërzitemi për këtë shtet.

Kështu disi ndodh barazimi i keq midis politikanëve dhe zyrtarëve të sotëm dhe shtetit të Kosovës. Kjo është njëlloj sikur të mos interesohesh më për fatin e familjes tënde dhe të shtëpisë tënde, sepse njeri anëtar i familjes ka qëlluar i mbrapshtë, dhe ua ka qitë (madje) faqen e zezë të gjithëve. Kjo është njësoj se të pajtohesh që e gjithë familja (lexo: i tërë shteti) duhet të pësojë për shkak të dikujt që ka punuar mbrapshtë.

Por, kjo logjikë, në masë të madhe sundon me ne, tani, në Kosovë.

Janë shumë arsye pse jemi kështu, shumë udhë dhe shtigje na kanë sjellë këtu, por ja që do të bënim gabimin më të madh nëse do ta mohojmë se ku jemi. Dhe nëse nuk do të përpiqeshim ta ndryshojmë këtë gjendje, e cila të kthen krejt në fillim të këtij shkrimi: Në mungesë të interesimit, nuk do të ketë të ardhme. Për Kosovën si shtet.

—————————————————

Të shtunën tjetër: Marrja me vetveten është punë tejet e rëndë. As njeriu si individ, dhe as populli, nuk ka fort dëshirë me pa se çka është në të vërtetë. Cilat janë të metat. Çka nuk është në rregull.

Pjesa e Parë: Hobbesi si Kosovar

—————————————————

Skenë nga filmi Lista e Schindlerit: “Kam mundur të bëj më shumë”.