Llogaridhënie me shkrim

Secili qytetar do të ketë mundësi që t’i kërkojë llogaridhënie për premtimet e tij, Kandidatit të Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, nëse ai arrin të zgjidhet Kryetar i Prishtinës.

Lajme

25/11/2013 13:23

Fushata e balotazhit do të ketë një risi.

Lëvizja Vetëvedosje ka vendosur që të krijojë në fletushkë, ku do të jenë të shkruara zotimet e Kandidatit të saj për të parin e Prishtinës, Shpend Ahmetit, ku secili pastaj mund ta mbajë atë pjesë të fletushkës dhe t’i kërkojë atij llogaridhënie për premtimet e dhëna.

Ahemti tha se kjo llogaridhënie do të jetë shembull edhe për Komunat e tjera.

Kështu Kandidati i Vetëvendosjes e ka filluar zyrtarisht fushatën zgjedhore për balotazhin e 1 dhjetorit, në të cilin ai do ta ketë përballë rivalin nga LDK, Isa Mustafa.

Shpend Ahmeti tha se e ka pasur përnjëmend kur i ka bërë ato premtime.

“Të gjitha ato gjëra të cilat i kemi thënë dhe për të cilat jemi zotuar që nuk po i quaj as premtime, do t’i prezentojmë në një fletushkë, të cilën më pastaj do të kërkojmë nga qytetarët një pjesë e cila mund të prehet, ku janë të gjitha zotimet”.

“Do t’i ftojmë banorët e Prishtinës ta mbajnë këtë pjesë të fletushkës me vete dhe të na mbajnë përgjegjës dhe të na kërkojnë llogari personalisht gjatë katër vjetëve të ardhshme të mandatit tonë”.

“Me këtë fushatë po mundohemi që ta rrisim llogaridhënien dhe të japim shembull edhe për komunat e tjera”.

“Ne e kemi përnjëmend. Ato që i kemi thënë dhe do t’i realizojmë”.

Shpend Ahmeti tha se gjatë tubimeve me qytetarët ka parë një gadishmëri për ndryshim. Ai thotë se edhe njerëzit që kanë votuar kadidatët e partive të tjera, më 1 dhjetor do t’i bashkohen Vetëvendosjes për ndryshim.

“Ajo çka po shohim tash është edhe një gadishmëri më e madhe për ta bërë ndryshimin në Prishtinë. Kemi pasur në tubimet tona tani edhe njerëz të cilët në raundin e parë kanë votuar për kandidatët e tjerë, tash po e shohim edhe gadishmërinë e votuesve të pothuajse të gjithë kandidatëve të tjerë, të cilët kanë treguar vullnetin që të bëhen pjesë e ndryshimit”.

“Numri i atyre që po shprehin përkrahjen është rritë dita-ditës”.

Vetëvendosje, gjatë kësaj fushate të balotazhit do të vazhdojë edhe me takimet me qytetarë që të shpalosë programin e saj.

Dardan Sejdiu, udhëheqës i shtabit për Prishtinë, prezentoi shkurt agjendën 5 ditore të fushatës.

“Ne do të mundohemi që për këto 5 ditë fushtë të prekim edhe një herë çdo cep dhe secilin fshat në Komunën e Prishtinës, në mënyrë që ky program dhe kjo që e prezentojë kryetari  i ardhshëm, nj llogaridhënie që nuk është parë në Kosovë, të jetë pjesë e fushatës dhe të  jetë pjesë e çdo diskutimi me qytetarët e Prishtinës”.

“Më 28 nëntorë ne do të organizojmë një tryezë e cila ndërlidhet me temën “Bashkëpunimi mes kryeqyteteve shqiptare”, ku do të kemi kryetarin e ardhshëm të Prishtinës së bashku me ekspertë të fushës së bashkëpunimit rajonal”.

“Në këtë tryezë do të ketë përfaqësues të kryeqyteteve, si prej Shkupit prej Tiranës por dhe prej qyteteve tjera. Do të flasim se si është e mundur që kryeqytetet shqiptare të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën”.

“Fushata do të përmbyllet në ora 18:00 në Sallën 1 Tetori”.