Lladrovci: Sulmet kundër meje, arritën kulmin gjatë Konventës së VIII-të të PDK-së

Kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka sqaruar rastin për të cilin ka reaguar ditë më parë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Lajme

28/03/2017 10:56

Sqarim i Lladrovcit për opinionin:

Ditë më parë, derisa ishte për vizitë në komunën e Drenasit, Ministri i Zhvillimit ekonomik, më 23 Mars 2017, në ambientet e komunës, ka qëndruar “mbesa jonë”, Arbëresha Fazliu, gazetare e Klan Kosovës. Opinioni është në dijeni për qasjen time tepër pozitive edhe kur ndonjëri nga ato medie nuk e ka përcjellë realisht atë që kam thënë apo kam bërë.

Me gjithë respektin për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, para se të kërkojë nga unë kërkimfalje, do të duhej të më kontaktonin së paku apo të shohin me vëmendje incizimin rreth asaj se çfarë ndodhi atë ditë në Drenas.

Ftoj Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës në një takim në Drenas. Kam edhe unë për të thënë, jo vetëm për rastin e fundit por edhe për mediat që sipas të gjitha gjasave, disa prej tyre, fare nuk e kanë parë, as lexuar Kodin etik për mediat e shkruara.

Ky sqarim bëhet për opinionin publik se këto sulme kundër meje, arritën kulmin gjatë Konventës së 8-të të PDK-së. Ashtu siç ishte, fotografia me disa tifozë të nderuar në Shkodër, po ashtu, i shpërndarë me agresivitet gjithandej gjatë mbajtjes së Konventës, më 25 dhe 26 Mars. Me nderime, Ramiz Lladrovci, Gllanasellë, Drenas.