Ljajiq: Produktet serbe po hyjnë në Kosovë nëpërmjet kontrabandës

Ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Ljajiq, ka deklaruar se mallrat serbe janë prezente në Kosovë dhe se ato po hyjnë edhe në mënyra tjera alternative.

Lajme

21/02/2019 23:44

Sipas tij zyrtarët në Serbi kanë tërhequr vërejtjen për rritjen e kontrabandës menjëherë pasi që Prishtina zyrtare kishte vendosur masën e tarifës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

I pari i Tregtisë në Serbi ka thënë për Radio Televizionin e Serbisë:

“Nëse shikohet në veri apo në jug të Kosovës, gjithkund mund të hasen mallrat nga Serbia të cilat mbërrijnë atje përmes rrugëve të ndryshme”, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është në fuqi që nga 21 nëntori i vitit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur disa herë se mospezullimi kësaj mase nga autoritetet e Kosovës përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.