Liverpool përgatit paradën e kampionit

Liverpool ka nevojë për një mrekulli në mënyrë që të shpallet kampion i ri i Premierligës. Por, Reds – në rast të suksesit – tashmë kanë bërë gati planin e paradës në qytet.

Sport

08/05/2014 19:41

Detajet e paradës së kampionit nga Liverpool – nëse fitojnë titullin e Premierligës në fundjavë – janë zbuluar nga bashkësia lokale.

Reds kanë nevojë për një mrekulli në mënyrë që të festojnë pas ndeshjeve të xhiros së fundit në fundjavë, pasi liderit aktual Manchester City do t’i mjaftojë edhe një pikë nga dueli në shtëpi me West Hamin për t’u shpallur kampion.

Mirëpo, pasi ishin në pozitë të volitshme për të fituar titullin deri disa javë më parë, Liverpool ende beson, dhe i ka të gatshme detajet e paradës, në rast të triumfit.

Nëse skuadra e menaxherit Brendan Rodgers e siguron trofeun, futbollistët dhe stafi do të bëjnë paradë me autobus të hapur të hënën, duke filluar nga ora 16, dhe ajo do të zgjasë për “disa orë” sipas dokumenteve zyrtare.

Autobusi do të bëjë rrugëtimin nga qendra e deri tek rrugët në periferi në mënyrë që të përfshijë tifozët nga të gjitha anët e Liverpoolit.