Listat e fryra dhe lirimi i Sylejman Selimit, pika të përplasjes mes prokurorisë dhe veteranëve

Listat e Veteranëve dhe lirimi i Sylejman Selimit po përplasin prokurorinë vendore me OVL-të e UÇK-së. Këto të fundit po kërkojnë edhe ngritjen e aktakuzës për publikimin e emrave të atyre që organet e drejtësisë kanë cilësuar jashtëligjshëm pensione.

Lajme

31/10/2018 20:07

Ka kaluar kohë që kur Gjykata Themelore e Prishtinës e ktheu pas aktakuzën për rastin “Veteranët”, shkruan lajmi.net.

Në të njëjtën, 12 anëtarët e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit po akuzohen se kanë manipuluar me lista, ndërkaq që rreth 20 mijë persona po dyshohet se fituan jashtëligjshëm statusin e veteranit.

Në lidhje me këtë, nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, tha sot për lajmi.net se prokuroria sipas tij duhet të ngrisë aktakuzë edhe për publikimin e emrave.

Siç shprehet Haradinaj, Qeveria ka ndërhyrë edhe në këtë çështje.

“Prokuroria Speciale duhet ta ngrisë aktakuzën për publikimin e listave të veteranëve.  Por si duket edhe aty ka ndikuar Qeveria sepse po të mos kishte ndikuar, nuk do të kishte dalë as kjo listë. Edhe në qoftë se do të dilte, nuk do të dilte me njerëz të devotshëm, që i kanë futur aty për t’i fshehë aty njerëzit që janë të rrejshëm”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj tutje thotë se vetë Agim Çeku dhe komandatët e tjerë me deklaratat e tyre e kanë dëshmuar se ka fryrje të listave.

Haradinaj foli edhe për lirimin e ish-komandatit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimit, për të cilin tha se besojnë ende në pafajsinë e tij.

“Duke e parë edhe gjykimet e mëparshme të ish-ushtarëve të UÇK-së . Për neve është shumë shqetësuese se si Sylejman Selimi mundet mu nalë, por ne nuk duam të mbërrijmë deri atje sa që ajo të pasqyrohet si ndërhyrje në drejtësi. Ne do të shohim për veprimet e ardhshme, mirëpo nuk do të bëjmë veprime që do të reflektojnë si të tilla. Unë besoj që gjykata do ta sheh gabimin që është bërë në këtë raport”, tha ai.

Se prokuroria po e zvarrit punën për veteranët po e thotë edhe kryetari  i OVL UÇPMB-së, Nazmi Hajredini.

Sipas tij, prokuroria  “ka krijuar lëmshin të cilin duhet të zgjidhë vetë”.

“Prokuroria ka bërë lëmshim të cilin duhet ta zgjidhë vetë. Sidomos veteranët e vërtetë nuk guxojnë të preken”, ka thënë Hajredini për lajmi.net.

Kujtojmë, se me aktvendimin e fundit të Gjykatës, me kusht është liruar i akuzuari tjetër Jahir Demaku, ndërkaq që Sylejman Selimi vazhdon të mbetet në burg.

Lidhur me të njëjtën çështje, mbrojtja e Sylejman Selimit ka akuzuar gjykatën se po i shkel aktvendimet e veta./Lajmi.net/