Lista Srpska: Nuk bëmë pazar me votën tonë për presidentin

Është thënë se për të votuar Hashim Thaçin president, Lista Srpska kishte kërkuar rritjen e buxhetit për komunat serbe, datën e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, si dhe në të ardhmen të kenë një zv.president nga pakicat.

Lajme

28/02/2016 18:23

Por të gjitha këto i ka mohuar shefi i Grupit Parlamentar të Listës Srpska, Slavko Simic.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë pazar dhe as shantazh në drejtim të koalicionit qeveritar për pjesëmarrjen e tyre në seancën ku u votua për Presidentin e Kosovës.

Simic ka treguar se kanë biseduar me partnerët e koalicionit për disa kërkesa të “vogla” të serbeve por jo për diçka të madhe.

“Kemi biseduar për disa probleme të vogla që i ka komuniteti serb. Si në nivelin lokal ashtu edhe në nivelin qendror. Por, nuk mund të bëhet fjalë kurrfarë pazarllëqesh ose shantazhesh e as nuk ka pasur kërkesa të mëdha”, ka thënë Simic, pa treguar detaje të kërkesave të tyre.

“Obligimi i Listës Srpska është që të marrin pjesë në mbledhjen e Parlamentit. Mbledhja ka qenë e jashtëzakonshme. Tjetër punë është se si kemi votuar”, ka shtuar ai, për Gazetën Express.

Ky zyrtar i Listës Srpska ka thënë se bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës dhe partnerët e koalicionit po punojnë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të të gjitha etnive.

“Kemi bashkëpunim konstruktiv dhe të suksesshëm me partnerët e koalicionit, me Qeverinë dhe mendojmë se këtë bashkëpunim duhet ta vazhdojmë në këtë mënyrë në të mirë të serbëve dhe të shqiptarëve”, ka thënë Simic, për Gazetën Express.

Por, a do të kenë serbët favore për kuorumin për zgjedhjen e Presidentit?

Slavko Simic thotë se këtë veprim s’e kanë bërë për favore.

“Nuk e kemi bërë për favore por e kemi parë si obligim i deputetëve që të marrin pjesë në seancën ku u votua për Presidentin”, ka shtuar ai.