Lista Srpska: E votojmë qeverinë e kujtdo që i ka 51 vota

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se deputetët e listës do të paraqiten për verifikim të mandatit në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 3 gusht, por ka thënë se ende nuk kanë vendosur se a do të përkrahin apo kë do të përkrahin për formimin e Parlamentit dhe Qeverisë.

Lajme

25/07/2017 19:00

Rakiq, pas takimit të sotëm të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, tha për televizionin serb (RTS) se pret që partitë parlamentare shqiptare të merren vesh dhe t’i zgjidhin problemet mes njëra-tjetrës, transmeton lajmi.net.

“Lista Serbe nuk do të jetë pengesë për formimin e Qeverisë. Ajo që është shumë e rëndësishme është se Listës Serbe nuk do t’i interesojnë funksionet e as numri i mandateve ministrore. Neve na intereson jeta më e mirë e popullit serb, goran, boshnjak, rom… dhe natyrisht se s’do të ndërmarrim vendime të shpejta, por do të konsultohemi me Beogradin dhe vetëm atëherë do të dalim me qëndrimin tonë”, ka thënë Rakiq.

Ai, ndër tjera ka thënë, se pret që partitë shqiptare të dëshmojnë se kanë përkrahjen e 51 përfaqësuesve në Kuvend dhe pas kësaj mund të presin mbështetjen e Listës Serbe e cila ka nëntë përfaqësues, ndërsa në grupin parlamentar do ta ketë edhe një përfaqësues nga radhët e goranëve.

Regjistrimi i deputetëve të zgjedhur rishtas në Kuvendin e Kosovës do të jetë 26, 27 dhe 28 korrik. /Lajmi.net/