Lista Serbe s’kthehet këtë javë, po bën lojën e Beogradit

Rikthimi i Listës Serbe në institucionet e vendit vazhdon të mbetet i paqartë, dhe problematik për fazën nëpër të cilën pritet të hyjë vendi. Ndonëse qeveria nuk e sheh problematike këtë subjekt politik, por shtetin serbe, opozita dhe shoqëria civile vlerësojnë se vetëm themelimi i kësaj liste që nga fillimi ka qenë problematik dhe me elemente destabilizuese.

Lajme

21/03/2015 16:56

Ministrja pa portofol dhe e dialogut teknik me Serbinë, Edita Tahiri, në një prononcim dhënë KosovaPress ka thënë se Lista Serbe duke qenë subjekt i regjistruar në institucionet e Kosovës, dhe deputetët e ministrat e saj duke qenë ata që kanë nënshkruar deklaratën e betimit për të punuar për këtë shtet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e aplikueshme, nuk paraqet problem për shtetin e Kosovës.

Sipas saj, kushtëzimet që kjo Listë mund të bëjë dhe lojërat që Serbia pretendoj t’i bëjë për rikthimin e kësaj Liste nuk do të kenë asnjë efekt tek institucionet e Kosovës, pasi që Kosova është ndër shtet e rralla që respekton në këtë mas të drejtat e minoriteteve.

“Kushtëzimet që ata i mendojnë, lojnat që ata i mendojnë, manipulimet që vijnë nga Serbia për ta nuk do të kenë kurrfarë efekti tek institucionet e Republikës, sepse Kosova është ndër shtetet e rralla në botë që iu ka dhënë kaq shumë të drejta minoritetit serb, ndërkohë që minoritet tjera në Kosovë kanë shumë më pak të drejta. Ne si qeveri ftojmë serbët e Kosovës t’i shfrytëzojnë këto të drejta, t’i realizojnë sepse nëse i krahasojmë me minoritetet në rajon serbet e Kosovës edhe pse janë pak me përqindjen kanë shumë më shumë të drejta se secili minoritet në shtetet e rajonit”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se prania e kësaj liste nuk përfaqëson interesat e serbeve të Kosovës, por të shtetit të Serbisë në Kosovë, çka edhe është deklaruar disa herë nga vet përfaqësuesit e kësaj liste.

Sipas Pantinës, rikthimi i kësaj liste në institucionet e Kosovës me kushte të tjera do të duhej të ishte i pa pranueshëm nga ana e institucioneve tona.

“Prania e Listës Serbe në qeveri prej fillimit ka qenë ose do të duhej të ishte e pa pranueshme me kushtet që ata prej fillimit i ka dhënë dhe sidomos pas deklarimit publik që ata kanë bërë që nuk e njohin pavarësinë dhe shtetin e Kosovës dhe ende ata vazhdojnë ta trajtojnë Kosovën si pjesë e Serbisë. Kështu që prania e tyre është destruktive për institucionet por edhe e cenon sovranitetin tonë. Tani edhe nëse kthimi i tyre lidhet me kushte të tjera të cilat me siguri që do të jenë në dëm të shtetit të Kosovës, do të duhej të ishte edhe më e pa pranueshme”, ka thënë Pantina.

Pantina theksoi se përfaqësimi i serbëvenë institucionet e Kosovës është i rregulluar tashmë me kushtetutë, dhe ata si qytetarë të Kosovës duhet të përfaqësohen por jo të përfaqësohet nga një formacion politik i cili deklaron haptazi që përfaqëson interesin e një shteti të Serbisë por jo interesin e serbeve që jetojnë në Kosovë.

Në anën tjetër, Fisnik Korencia nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike ka thënë për KosovaPress se paraqitja e Listës Serbe si konfliktuoze, po bëhet qëllimshëm nga ana e Beogradit, i cili po synon të përfitoj sa më shumë në rrugën e saj drejtë integrimeve evropiane. Sipas tij, tashmë është bërë e qartë se kjo listë nuk do të rikthehet në institucione pa themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Ky lloj i bërjes konfliktuoze i Listës Serbe në Kosovë është i qëllimshëm. Është bërë i qëllimshëm që Beogradi të përfitoj në raport me rrugën e saj integruese duke, kinse pretenduar që është Serbia ajo që do t’i menaxhoj këta, do t’i kthej në institucione. Por substancialisht mendoj që serbët me mbledhjen e djeshme e kanë bërë në njëfarë forme të qartë se ata kthehen në institucione vetëm kur të ketë një asociacion të komunave i cili do të themelohet sipas logjikës së tyre, e cili pastaj do të futej edhe në të drejtën kushtetuese të Serbisë. Serbia pretendon të bëjë amendamente kushtetuese për asociacionin dhe në këtë mënyrë serbët, në fakt lista serbe të shndërrohet në një instrument vetoje për çdo gjë të rëndësishme që ndodh në politikën kosovare”, ka thënë Korenica.

Ai ka shtuar se nëse Qeveria e Kosovës e refuzon kategorikisht një qasje ë tillë dhe Brukseli është shumë serioz ndaj listës serbe, lista dhe Beogradi do duhej të hiqeshin nga një pozicion i tillë konfiktuoz dhe tensionues.

Kurse, kryetari i Listës Serbe, Aleksander Jabllanovic, ka thënë për KosovaPress nëpërmjet telefonit se deri më tani subjekti i tij nuk ka zhvilluar asnjë bisedë apo takim me zyrtarë të institucioneve kosovare për rikthimin e mundshëm në qeveri dhe kuvend. Sipas tij, rikthimin i tyrenë javën e ardhshme është vetëm spekulim nga ana e medieve.

Ai po ashtu ka thënë se subjekti i tij ende nuk ka diskutuar dhe as nuk ka marrë ndonjë vendim përkitazi me rikthimin e tyre në institucione. (Kosovapress)