Lista Serbe së shpejti merr një vendim!

Brenda pak ditësh do të merret vendimi për kthimin apo jo të Listës Serbe në institucionet e Kosovës.

Lajme

24/03/2015 08:46

Kështu ka deklaruar përfaqësuesi i këtij subjekti politik, Branimir Stojanoviq.

“Së shpejti do të ketë një vendim. Se çfarë do të jetë ai vendim, pozitiv apo negativ, nuk e di ende”, ka thënë Stojanoviq për Zëri.

Që prej 3 shkurtit, ditën kur kryeministri Isa Mustafa shkarkoi nga posti i ministrit Aleksandar Jabllanoviq, për shkak se ai i kishte quajtur nënat gjakovare “egërsira”, Lista Serbe është larguar nga institucionet e Kosovës.

Para pak ditësh, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës u takuan me ata të Serbisë në Graçanicë, ku prej asaj mbledhje nxorrën 10 kushte për kthimin e Listës Serbe në institucione. Njëra prej tyre ishte edhe themelimi sa më i shpejt i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.

“Bashkësia e Komunave Serbe është institucion që u përgjigjet kërkesave të serbëve të Kosovës, prandaj është edhe prioritet i Listës Serbe dhe i të gjithë serbëve të Kosovës”, thotë Stojanoviq, i cili ndër të tjerash ka deklaruar se “edhe partitë politike në Prishtinë e kanë pranuar këtë bashkësui, qoftë me marrëveshjen e Brukselit e po ashtu edhe në negociatat me përfaqësuesit e Listës Serbe, kur është bërë koalicioni”.