Lista Serbe kthehet në institucione javën e ardhshme

Java e ardhshme duket se do ta gjejë Listën Serbe të kthyer në institucionet e Kosovës, pas bojkotit që zgjati për afro një muaj e gjysmë.

Lajme

19/03/2015 15:38

Këtë e ka konfirmuar për Radio Dukagjinin zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, i cili tash e sa kohë është duke negociuar me zyrtarët e kësaj Liste për rikthimin e tyre në Kuvend dhe Qeveri.

Gecaj ka rrëfyer tërë procesin e negocimit dhe rikthimin e tyre.

“Unë vazhdimisht jam në konsultime me përfaqësuesit e Listës serbe dhe besoj e shpresoj që javën e ardhshme do të kemi disa lëvizje serioze në këtë drejtim, pra rikthimit të tyre dhe përmbushjes së obligimeve që i kanë marrë në kohën kur edhe ata kanë bërë betimin”, tha ai.

Gecaj ka konfirmuar se Lista nuk ka vënë kushte për rikthim, duke vlerësuar se kushtet e Listës Serbe, por edhe të gjithë atyre që janë në bashkëqeverisje, i kanë kryer gjatë marrëveshjeve për koalicion.

“Çështjen e kushteve e kemi rregulluar në kohën kur kemi bërë marrëveshjen e koalicionit qeverisës në atë kohë ne kemi negociuar si me partnerin tjetër qeverisës PDK, me Listën Serbe por edhe me Grupin 6 plus, kështu që kushtet e tyre për të hyrë në qeverinë e Kosovës ne i kemi të nënshkruara në atë marrëveshje dhe ne pranojmë që edhe në të ardhmen jemi të gatshëm se mund të lindin çështje të reja që ne duhet t`i shqyrtojmë, megjithatë ata tani duhet të vendosin…”, tha Gecaj.

Ky zyrtar i Qeverisë së Kosovës i pyetur nëse zyrtarët e kësaj partie serbe mund të kthehen vetëm për të votuar Gjykatën speciale dhe tërhiqen prapë, tha se nuk beson se kjo mund të ndodh, por që zyrtarët e Listës Serbe do të rikthehen njëherë e përgjithmonë në institucionet e vendit.

“Unë besoj që po, me siguri të plotë nuk mund të them, por jemi në kontakte besoj që javën që po vjen do të ketë lëvizje pozitive, unë shpresoj se po”, tha ai.

Vendimi për kthimin e tyre në institucionet e Kosovës, vjen pas një takimi që zyrtarë të  Listës Serbe kishte zhvilluar me kryeministrin e Serbisë, Aleksander Vucic dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq.

Lista Serbe që nga 3 shkurti i këtij vitit,kur kryeministri Mustafa kishte shkarkuar Aleksandër Jabllnoviq, nga detyra e ministrit për Kthim dhe Komunitete kishte braktisur institucionet e Kosovës.

Shkarkimit të tij i parapriu një deklaratë ofenduese e Jabllanoviqit për nënat gjakovare, të cilat ai i kishte quajtur egërsira.

Kjo deklaratë kishte nxitur pakënaqësi të madhe në opinion, ku edhe ishin organizuar protesta për shkarkimin e Jabllanoviqit.