Lista Serbe dënohet me 22 mijë euro

Një spot zgjedhor që bënte thirrje për votë për Listën Serbe dhe i cili në kuadër të spotit përmbante fjalët “Vota për Listën Serbe është votë për Serbinë në Kosovë dhe Metohi”, i ka kushtuar me 22 mijë euro gjobë partisë me seli në veri të vendit

Lajme

23/10/2017 22:18

Më 18 tetor është paraqitur një ankesë ndaj Listës Serbe për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike.

Ankesa paraqiste pretendime se spoti i publikuar në faqen e Listës Serbe kishte rënë ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Por, Lista Serbe në përgjigjen e saj për PZAP ka theksuar se postimi nuk ishte bërë në faqen e tyre dhe se ata nuk administrojnë faqen në “Facebook”, ku është publikuar spoti.

Po ashtu, ky subjekt është arsyetuar se një video të tillë mund ta kenë postuar edhe kundërshtarët e tyre politikë me qëllim që t’i dëmtojnë.

Arsyetimet e dhëna nga Lista Serbe nuk janë gjetur të bazuara nga PZAP, që ka gjetur se spoti me përmbajtjen e theksuar më lartë ishte edhe në faqen zyrtare të Listës Serbe dhe atë në vazhdimësi dhe se nuk ishin marrë masat për ta larguar atë me arsyetimin se nuk kanë mundur ta gjejnë video-spotin.

PZAP gjatë shqiptimit të dënimit ka marrë parasysh faktin se Listës Serbe i ishte shqiptuar gjobë për shkeljen e njëjtë edhe në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti.

Gjithashtu, si rrethanë është marrë parasysh edhe shuma e mjeteve që pranojnë nga buxheti i Kosovës për zhvillim të fushatës zgjedhore. /kallxo.com