Lista me emrat e deputetëve të VV-së shuan shpresat e të aderuarve të rinj

Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar rezultatet përfundimtare të kandidatëve që kanë fituar vota të mjaftueshme për të qenë anëtarë të Kuvendit të ri të Republikës së Kosovës, që pritet të konstituohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Lajme

26/06/2014 12:43

Në listën me emrat e 16 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën lajmi.net e ka siguruar nga një zyrtarë i lartë i kësaj partie, figurojnë emrat e 11 deputetë të gjinisë mashkullore dhe pesë të gjinisë femërore.  

Vetëvendosje me 16 deputetë radhitet si partia e tretë në vend e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, pas Partisë Demokratike të Kosovës e cila ka fituar 37 mandate në Kuvend, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me 30 mandate të fituara.   

Avni Zogiani, Mazllum Bajraliu, Hydajet Hyseni dhe Agron Dida, janë disa nga të aderuarit e rinj që nuk kanë mundur as t’i afrohen pragut në konkurrencë me të tjerët kandidatë në listë, dhe kështu nuk i kanë sjellë vota as partisë, edhe pse gjatë fushatës ishin shprehur të bindur në fitoren e tyre dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.  

“Zogiani, Bajraliu, Dida, Hyseni dhe disa të tjerë janë të pakënaqur me arritjet e tyre, por pakënaqësia arrin deri në krye të partisë, pasi pritjet prej tyre ishin të mëdha”, ka thënë  burimi i lajmi.net në Vetëvendosje.

Ky burim ka thënë se të pakënaqur me rezultatin janë edhe ish deputeti Florin Krasniqi dhe aktivistët e njohur të lëvizjes, Fisnik Ismajli, i cili megjithatë ka arritur të kalojë pesë mijëshin e votave, dhe Yll Hoxha.

“Ky është rezultati i tyre, duhet të pajtohen! Lista që kemi me emrat e rinj të deputetëve nuk do të ndryshojë, pasi është e fundit nga Qendra e Numërimit të Rezultateve dhe tani presim certifikimin e tyre”.  

Aderimi më i qëlluar në Vetëvendosje duket të ketë qenë Ilir Deda, bashkëthemelues i FER-it, njëherësh ish-këshilltar i Presidentes, i cili në listën e deputetëve të rinj është radhitur si kandidati i katërt më i votuar, me mbi 15 mijë vota të fituara.

Deputetët:

1. Albin Kurti
2. Visari Imeri  
3. Glauk Konjufca
4. Ilir Deda
5. Dardan Sejdiu  
6. Rexhep Selimi  
7. Liburn Aliu  
8. Besnik Bislimi  
9. Smail Kurteshi
10. Mytehar Haskuka
11. Sali Salihu

Deputetet:

1. Aida Dërguti
2. Puhie Demaku
3. Albulena Haxhiu 
4. Shqipe pantina
5. Erleta Hoti