Lista e përforcimeve të Guardiolës

Trajneri i Bayern Munichut, Pep Guardiola ka bërë gati një listë me emrat e futbollistëve që dëshiron t’i transferojë në Allianz Arena, gjatë afatit kalimtar të verës.

Sport

30/04/2014 19:02

Bayern Munich u eliminua turpshëm nga Real Madrid në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Trajneri Pep Guardiola po ashtu është ballafaquar me kritika të ashpra për stilin e lojës, dhe dominimin në posedimin e topit, por që nuk solli aspak sukses kundër Los Blancos që i mposhtën 1:0 në Madrid dhe 4:0 në Munich duke u kualifikuar në finale.

Andaj, Guardiola kërkon përforcime për sezonin e ri. Sipas Sport Bild, ish trajneri i Barcelonës kë përgatitur një listë me emrat e futbollistëve që kërkon t’i ketë në sezonin e ardhshëm në Munich.

Mbrojtësi i djathtë i Barcelonës, Martin Montoya kërkohet nga Guardiola, që e njeh mirë futbollistin nga koha kur ai ishte pjesë e akademisë në La Masia.

Montoya ka kontratë me Barcelonën deri më 2018, por Guardiola beson se mund ta transferojë për 12 milionë euro.

Qendërmbrojtësi i Chelseas, David Luiz po ashtu është objektiv i Guardiolës. Ylli brazilian kushton rreth 36 milionë euro.

Opsion për qendër të mbrojtjes është edhe anëtari i Athletic Bilbaos, Aymeric Laporte.

Ndërsa në sulm, gjiganti bavarez tashmë ka siguruar shërbimet e Robert Lewandowskit nga Borussia Dortmund, i cili ka nënshkruar për Bayernin në janar, por do të transferohet në Allianz Arena në verë, si futbollist i lirë.