Lisbona ‘pushtohet’ nga spanjollët

Lisbona do të jetë e mbushur me spanjollë të shtunën. Tifozët e Real Madridit dhe Atletico Madridit do ta ‘pushtojnë’ qytetin portugez, në ditën kur aty do të zhvillohet finalja e Ligës së Kampionëve.

Sport

20/05/2014 11:31

Lisbona flet spanjisht. Qyteti portugez do të mbipopullohet nga spanjollët të shtunën, në kuadër të finales së Ligës së Kampionëve.

Mijëra tifozë të Real Madridit dhe Atletico Madridit, ekipe finaliste të Championsit, pritet ta ‘pushtojnë’ Lisbonën në fundjavë, në përkrahje të ekipeve të tyre të zemrës.

UEFA ka ndarë 34 mijë bileta për të dyja ekipet, nga 17 mijë për secilin, por numri i atyre që janë të interesuar për t’u futur në stadium është disa fish më i madh.

Lisbona, e cila ka 540 mijë banorë, mund të dyfishohet për nga popullsia në fundjavë, pasi krahas spanjollëve, ky qytet pritet të vizitohet edhe prej tifozëve nga mbarë bota. Një ditë historike!