LISBA për Halitin: Sulm identitetit mysliman nga njeriu me profil të dyshimtë

Lëvizja Islamike “Bashkohu”, ka reaguar pas deklaratave të nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, se shqiptarët që po i shkurtojnë pantallonat, po i lëshojnë mjekrat dhe femrat që po mbulohen me shami, po e bëjnë këtë për para e jo për ideale. Kjo lëvizje deklaratat e Halitit i cilëson sulm ndaj identitetit mysliman shqiptar. 

Lajme

14/12/2014 20:40

Kjo Lëvizje, përmes një reagimi dërguar mediave, thotë se janë të shqetësuar se “njerëz të paditur kanë marrë nën kontroll udhëheqjen e shtetit, ata që kanë shitur identitetin e tyre”.

“Xhavit Haliti, i cili profilin e tij nuk e ka aq të pastër, qoftë nga koha e rinisë, apo qoftë edhe nga koha si zyrtar i Republikës së Kosovës (deputet), paska folur kundër identitetit mysliman shqiptar. Ai paska thënë se vajzat që vendojnë shaminë paguhen nga disa organizata të ndryshme, Xhavit Haliti ende nuk e paska mësuar se shamia është pjesë e identitetit tonë”, thuhet mes tjerash në reagimin e “Bashkohu”.

Lëvizja islame “Bashkohu” thotë të jetë e shqetësuar se njerëz të paditur kanë marrë nën kontroll udhëheqjen e shtetit, ata që kanë shitur identitetin e tyre.

“Ne jemi krenar që jemi myslimanë, do të mbesin myslimanë dhe nuk do të jemi si Xhavit Haliti që kur vjen koha e votave lavdëron myslimanët, e kur kalojnë zgjedhjet, shanë për të marrë pozitë nga qarqet anti-islame”.

“Ne ia kujtojmë Xhavit Halitit thirrjen që na bëri që t’i sjellim votat e myslimanëve atij, poashtu ia kujtojmë premtimet që na bëri se do të jetë një mbrojtës i islamit në parlament, por falënderojmë Zotin që nuk kemi rënë pre e një gënjeshtari siç është ai”, thuhet ndër të tjera në këtë reagim.

Gjithsesi, sipas “Bashkohu”, Kosova do ta ketë një mision të ri, por jo një mision që do ta sulmojë identitetin mysliman shqiptar, por “një mision që do t’i pastrojë hajnat dhe ata që shitën identitetin tonë”.