LISBA luftën kundër ekstremizmit e quan aparteid shtetëror kundër myslimanëve

Lëvizja Islame Bashkohu (LISBA), e cila veten e cilëson parti politike opozitare në Kosovë, me një letër, të cilën thotë t’ia ketë dërguar OSBE-së, ODIH (Office for Democratic Institutions and Human Rights), Amnesty International dhe Human Rights Watch, kërkon dhe apelon nga këto organizata të monitorojnë, siç thuhet në letër, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe persekutimin fetaro-politik që Qeveria e Kosovës po bën kundër udhëheqësit të një partie opozitare të Kosovës.

Lajme

20/10/2014 13:34

LISBA apelon te këto organizata të vijnë në Kosovë dhe të shohin nga afër mënyrën sesi opozita kosovare, dhe në veçanti sekretari i LISBA-s Fuad Ramiqi është burgosur në mënyrë ilegale dhe po diskriminohet nga Qeveria dhe Presidenca e Kosovës, të cilat kontrollojnë gjyqësorin në vendin tonë. 

LISBA në letër thekson se Fuad Ramiqi po mbahet i mbyllur padrejtësisht në burg nga Qeveria e Kosovës. Ramiqi është burgosur për shkak të një deklarate në televizion, ku ai e ka cilësuar regjimin e sotëm kosovar si diktatorial. 

Sipas LISBA-s, Ramiqi në KTV kishte thënë “Po vazhdon terrori shtetëror ndaj myslimanëve në veçanti por edhe ndaj prijësve tanë fetarë qe është një dukuri që nuk mund të imagjinohet që mund të ndodhë brenda popullit shqiptar. Mirëpo diktaturat e egra e kanë dëshmu’ që mundet me ndodh gjithëçka edhe kjo po i përngjan një vendi me diktatura më të egra që kanë ndodhur në historinë e popullit. 

Sigurisht që do të marrim hapa në ditët në vijim por do ta kemi të qartë njëherë pse dhe me çfarë arsye po ndodhin këto gjera dhe deri ku do të shkon ky pushtet diktatorial me këto zhvillime që kanë ndodh në Kosove”. 

“Arrestimi i Fuad Ramiqitpër këtë deklaratë vjen pas një seri kërcënimesh, sulmesh dhe shpifjesh që sekretari dhe Partia jonë mori nëpër shumë media nga politikanë të lartë dhe gazetarët e tyre me muaj me radhë, thekson letra e LISBA-s dhe shton se burgosja e Fuad Ramiqit tregon se në Kosovë kundër myslimanëve po ushtrohet një aparteid shtetëror” , thotë ndër të tjera letra e LISBA-s .

Fuad Ramiqi dhe të tjerë, në muajin e kaluar janë arrestuar si të dyshimtë për përkrahje dhe nxitje të ekstremizmit fetar mysliman në Kosovë.