Lirohet nga aktakuza ish-kryetari i Gjykatës së Apelit

Gjykata Themelore në Prishtinë i dha sot pafajësinë ish kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj dhe tre të akuzuarve  Vlora Goranit dhe Mentor dhe Ali Seferajt.

Lajme

28/05/2018 09:37

Me aktgjykimin e sotëm, gjykata gjithashtu vendosi që paratë në shumën prej 15 mijë eurove t’i kthehen të akuzuarës, Vlora Gorani.

Avokati i Mekajt, Besnik Berisha, pas shpalljes së aktgjykimit tha se vendimi i sotëm është “lajm i keq për drejtësinë”, sepse, sipas tij, Mekaj si profesionist i drejtësisë është privuar nga mundësia e ushtrimit të profesionit “dhe ndoshta avancimit të mëtejmë”.

“Nga dita e parë nuk ka pasë asnjë provë në këtë rast me të cilin prokuroria do t’i mbështeste pretendimet e saj”, tha avokati Berisha.

Berisha tha se nuk dëshiron të spekulojë por tha se atij Mekaj i kishte thënë se “një hetues kur e kishte arrestuar i kishte thënë se ‘ka kohë që dua të të arrestoj’”.

Gati tre vjet nga koha kur ishte arrestuar dhe dy vjet pasi ishte ngritur aktakuza, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit mësoi verdiktin e shqiptuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në lidhje me pretendimet e Prokurorisë ndaj tij.

Mekaj që ishte arrestuar në korrik të vitit 2015 po akuzohet për keqpërdorim të detyrës në lidhje me një rast ku sipas prokurorisë Mekaj do të angazhohej në caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste dhe ricilësimin juridik të veprave penale.

Pothuajse i gjithë ky gjykim është zhvilluar prapa dyerve të mbyllura për shkak se mbrojtja kishte kërkuar mbylljen e seancës për publikun pasi që sipas tyre mund të cenohej privatësia e palëve në procedurë.

Ky rast bënë pjesë në grupin e lëndëve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

Në korrik të vitit 2015, pak ditë pasi ishte arrestuar, KALLXO.com raportoi për arsyet pse Mekaj kishte përfunduar prapa grilave..

“Maçorri ka me u pa me atë”. Kjo ishte porosia të cilën e pandehura Vlora Gorani e dërgonte tek burri i saj Fahri D. në qelinë e burgut të Dubravës.

Prokuroria Drita Hajdari pretendonte se Gorani e kishte emëruar kryetarin e Gjykatës së Apelit Salih Mekajn me nofkën “Maçorri”, ndërsa porosia “që ka me u pa me atë” nënkuptonte se Mekaj do takohej me gjykatësen Lumturie Muhaxheri për të biseduar rreth çështjes së burrit të Goranit i cili ndodhej në paraburgim për shtytje në vrasje dhe tentim vrasje.

Kallxo.com kishte siguruar disa shkresa të lëndës penale ku ndër të tjera përshkruhen dyshimet të cilat prokuroria i ka ndaj Salih Mekajt.

Sipas dokumenteve Vlora Gorani – bashkëshortja e Fahri D. kishte tentuar që duke shfrytëzuar lidhjet e saj me Salih Mekajn ta mundësonte lirimin nga paraburgimi të  burrit të saj dhe një personi tjetër i dyshuar për narkotikë.

Prokuroria pretendon se për këtë qëllim Gorani ishte lidhur me Mekajn të cilin disa herë e kishte takuar dhe kontaktuar në telefon.

Në dosjen e prokurorisë përshkruhet një komunikim telefonik të cilin Mekaj e kishte pasur me të pandehurën Vlora Gorani.

“Salih Mekaj e kishte telefonuar Vlora Goranin dhe i kishte thënë se do të takohet me gjykatësen e rastit dhe më pas pasi të takohet me të për t’i treguar se si ka shkuar takimi”, shkruante në dosjen e lëndës.

Pas kësaj bisede policia kishte vëzhguar takimin e Mekajt me gjykatësen nga Peja Lumturie Muhaxheri. Të dy ishin takuar në një lokal të Prishtinës gjatë muajit korrik.

Gjithnjë sipas shkresave të prokurorisë,  pas takimit me gjykatësen, Mekaj kishte pasur një kontakt me telefon me Goranin të cilës i kishte treguar për takimin me gjykatësen dhe problemet që ajo i ka me mbledhjen e  trupit Gjykues.

Një provë tjetër të cilën prokuroria do ta përdorë në këtë çështje janë shkresat e lëndës penale ndaj burrit të Goranit të cilat janë gjetur në zyrën e Mekajt në gjykatën e Apelit gjatë bastisjes.

Në dosjen e prokurorisë ndër të tjera shkruhet se Mekaj nuk ka pranuar të deklarohet para policisë për këto çështje ndërsa e pandehura Gorani ka pranuar se ishte takuar me Salih Makajn me qëllim që t’i ndihmojë bashkëshortit.

Ajo tutje ka pranuar se kishte pranuar nga babai i të pandehurit Mentor S. një shumë prej 20 mijë eurosh me qëllim që t’i ndihmojë atij në procedurën penale për  narkotikë.

Gorani ka treguar në polici se paratë nuk i kishte dorëzuar tek askush por i kishte fshehur në shtëpinë prindërve të saj.

Avokatët e të pandehurve i kanë mohuar pretendimet e prokurorisë ndaj klientëve të tyre. Ata kanë thënë se prokurorja nuk e ka arsyetuar kërkesën e saj për paraburgimin e të pandehurve.

“Gjykata nuk e mori vendimin sot, por vendimi do të merret nesër. Gjykata dha urdhër që të kthehen në qendrën e paraburgimit në polici. Si mbrojtës i Mekajt, pretendimet e prokurorit të shtetit në këtë rast si u mbështetën në seancën dëgjimore mbështeten në thashetheme, në deklaratat e Vlora Goranit”, tha avokati Destan Rukiqi.

Rukiqi përgënjeshtroi raportimet në media në Mekaj ka përfituar një shumë të parave.

“Ajo e ka keqpërdorur shoqërinë që ka pasur me Mekajn gjoja për t’i ndihmuar burrit të saj. Dje është përmendur në mjetet e informimit se Mekaj ka marrë ryshfet gjoja 20 mijë euro, por ajo as nuk i ka ofruar as nuk i ka premtuar dhe as zoti Mekaj nuk e ka marrë këtë shumë, madje as në kërkesën e prokurorisë nuk përmendet kjo”, shtoi avokati Rukiqi.

Naim Rudari avokati i të pandehurës Vlora Goranit për KALLXO.com tha se prokurorja nuk e ka arsyetuar kërkesën për caktimin e paraburgimit.

“Unë si përfaqësues i autorizuar i njërit nga të dyshuarit kemi kundërshtuar këtë masë me arsye të shumta ligjore ngase prokurorja nuk e ka arsyetuar sa duhet kërkesën e saj kinse e mbrojtura ime e ka kryer veprën penale të dhënies së ryshfetit”, tha avokati Rudari.

“Në këtë kërkesë nuk ekziston dyshimi se një person tjetër ka kryer marrje të ryshfetit çka nënkupton se këto dy vepra kanë lidhshmëri mes vete. Nëse ekziston një person që ka kryer veprën penale të dhënies së ryshfetit duhet të ekzistojë edhe një person që ka kryer marrje të ryshfetit”, shtoi Rudari.